Arrestimi i Nicolás Maduro-s nga trupat amerikane nuk është thjesht ngjarja e fundjavës apo e fillimit të vitit. Është një akt brutal i realitetit që i rrëzon të gjitha mitet e vogla politike me të cilat ushqehen vendet periferike dhe klasat e tyre politike mediokre. Një operacion që deri dje e shihnim vetëm në filma dhe e përqeshnim si fantazi hollivudiane, sot u shfaq si fakt i thatë, kur SHBA vendos të të marrë, nuk të shpëton as pallati presidencial, as ushtria, as propaganda, as “sovraniteti”.
Kapja e kreut të një shteti, brenda territorit të tij, nga trupa të huaja, nuk është diçka për të cilën bota është mësuar. Pikërisht për këtë arsye, 3 Janari shërbeu si shuplakë e ftohtë, atëherë kur amerikanët vendosin të veprojnë, nuk ka mur, bunker, gardh ideologjik apo deklaratë sovraniteti që i ndalon. As opinioni ndërkombëtar, i cili në raste të tilla ulërin shumë dhe ndikon pak.
3 janari tregoi qartë diçka që shumë bëjnë sikur nuk e kuptojnë, por bota nuk funksionon me moral, por me interes. Dhe interesat amerikane nuk negociohen me deklarata, por ekzekutohen me operacione. Maduro u kap sepse për amerikanët ai nuk është president, por një kriminel në kërkim dhe Pikë.
Po, pati reagime. Po, pati deklarata. Po, pati edhe politikanë amerikanë që e kundërshtuan veprimin. Madje edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut i tha Trump-it se ishte gabim. Dhe çfarë ndodhi? Asgjë. Sepse kush e njeh Trump-in e di mirë se për të, zërat kundërshtues janë thjesht zhurmë ambienti. Vendimet që i ka marrë prej muajsh nuk i ndryshon dot as retorika morale, as lotët diplomatikë.
Sepse Donald Trump nuk qeveris për t’u pëlqyer, por për të imponuar. Kush ende nuk e ka kuptuar këtë, nuk ka kuptuar asgjë nga politika amerikane e viteve të fundit. Trump e kishte paralajmëruar Maduro-n prej muajsh se arrestimi ishte vetëm çështje kohe. Dhe nuk po flasim për kapriço personale apo impuls presidencial, por për një dosje penale të ngritur prej vitesh nga Distrikti Jugor i Nju Jorkut, për trafik droge, narko-terrorizëm, krime që kanë prodhuar viktima reale në rrugët amerikane. Këtu mbaron romantizmi dhe fillon ligji i ftohtë penal. Për SHBA-në, kjo nuk është ideologji, por vetëmbrojtje.
Reagimet ndërkombëtare u ndanë sipas një vije të qartë, nga ato vende që jetojnë nga rendi ndërkombëtar e përshëndetën, ndërsa regjimet autoritare dhe aleatët e tyre ulëritën për sovranitet. Një debat i njohur, i konsumuar dhe në thelb hipokrit. Sepse sovraniteti mbrohet me ligj, jo me karta droge dhe terror. Pra, një sovranitet që, rastësisht, e kujtojnë vetëm kur u rrezikohet pushteti personal, jo kur përdorin shtetin si kartel kriminal.
Por kulmi i turpit nuk erdhi nga Moska apo Pekini. Erdhi nga Tirana. Politikanë shqiptarë, me seriozitetin e një barcalete të keqe, dolën të sugjerojnë se arrestimi i Maduro-s qenka paralajmërim se “radhën” e ka Edi Rama. Kjo nuk është thjesht qesharake, por është dëshmi e një provincializmi politik të pashërueshëm. Kjo nuk është analizë politike. Kjo është idiotësi funksionale, e dobishme vetëm për konsum elektoral të brendshëm. Shqipëria nuk është Venezuela. Shqipëria nuk është nyje e trafikut global të drogës që furnizon tregun amerikan. Nuk është kërcënim strategjik për SHBA-në. Nuk është regjim që vret amerikanë përmes narko-terrorizmit. Shqipëria nuk ka peshë strategjike. Nuk ka ndikim global. Nuk ka asnjë relevancë për sigurinë kombëtare amerikane.
Shqipëria është një vend periferik me problemet e veta, por absolutisht jashtë radarit të operacioneve të tilla. Ndërsa, për disa politikan shqiptare mendojnë se bota sillet rreth halleve të saj, atëherë kur ata e duan për qëllimet e tyre. Dhe ky kompleks inferioriteti i veshur si “analizë gjeopolitike” është qesharak. Nëse Amerika do të arrestonte liderë sipas retorikës së opozitës shqiptare, lista do të ishte aq e gjatë sa Tirana nuk do të ishte as në fund të faqes së bllokut të shënimeve.
Edhe sikur Edi Rama të ishte gjithçka që e akuzojnë kundërshtarët e tij, dhe kjo është një “edhe sikur” i madh, problemet e tij janë probleme shqiptare, për t’u zgjidhur nga drejtësia shqiptare. SHBA-ja nuk ndërhyn për korrupsion provincial. Nuk dërgon trupa speciale për pazare tenderësh. Nuk rrëzon qeveri sepse opozita nuk fiton dot zgjedhje.
Rasti i Maduro-s është tjetër ligë. Ai akuzohet se ka ndërtuar një sistem kriminal që ka helmuar tregun amerikan me drogë dhe ka prodhuar viktima amerikane.
Pra, rasti i Venezuelës është tjetër gjë. Kur një regjim dhe kreu i tij shndërrohen në hallkë të drejtpërdrejtë të krimit që vret qytetarë amerikanë, atëherë ndërhyrja nuk është çështje dëshire, por e drejtë e shpallur e vetëmbrojtjes sipas ligjit amerikan.
E thënë troç, kur krimi yt kalon oqeanin dhe vret qytetarë amerikanë, atëherë nuk fshihesh më pas flamurit dhe himnit. Atëherë bëhesh objekt ndjekjeje penale globale.
Prandaj, arrestimi i Maduro-s nuk ka asgjë romantike, asgjë simbolike dhe asgjë për t’u keqinterpretuar. Është një mesazh i ftohtë se pushteti nuk të mbron kur bëhesh kriminel ndërkombëtar. Dhe kush përpiqet ta përdorë këtë ngjarje për teatër politik shqiptar, ose është injorant, ose e konsideron publikun po aq injorant sa veten. Prandaj, kush përpiqet ta përdorë arrestimin e Maduro-s për konsum politik shqiptar, ose nuk e kupton botën, ose e përdor keqkuptimin si strategji. Të dyja rastet janë njësoj të rrezikshme dhe njësoj qesharake, se problemi nuk është Amerika. Problemi është provincializmi ynë kronik.
Komente






USA se ndal dot asgjë ku e mësyen thotë ky zotëria normal as mua nuk më ndalë asgjë ti vërsulem një të pafuqishme ndaj meje ta provon në Iran si Jevrejtë që vranë tinzarqe njerëz dhe familjarë në gjumë por pastaj vetëm 1 javë rezistuan kur u digjej bytha
Përgjigju