Vetëm koha do të tregojë se kush, nga rrethi i tij, e ka tradhtuar Nicolás Maduron duke e “shitur” te inteligjenca amerikane dhe duke mundësuar kështu operacionin në Karakas. Por ajo që është e sigurt është se Departamenti Amerikan i Drejtësisë tashmë mbështetet te një ish-besnik për të formalizuar akuzat për narkotrafik ndaj ish-udhëheqësit venezuelian, akuza që deri tani nga një pjesë e madhe e opinionit publik ndërkombëtar janë konsideruar pak më shumë se një pretekst për të maskuar interesat e vërteta amerikane në Venezuelë.


Ish-besniku Hugo Armando Carvajal Barrios, i njohur si “El Pollo”, ish-shef i inteligjencës ushtarake venezueliane, më pas i larguar nga Maduro për tradhti, është arrestuar dhe është deklaruar fajtor për vepra të ngjashme me ato që tani i atribuohen Maduros. “El Pollo” ka qenë për një kohë të gjatë një nga bashkëpunëtorët kyç të Maduros: sot ai paraqitet në gjykatë, në Shtetet e Bashkuara, për të formalizuar akuzat amerikane kundër ish-udhëheqësit të tij.

Carvajal Barrios është deklaruar vullnetarisht fajtor në Shtetet e Bashkuara për krime shumë të ngjashme me ato për të cilat akuzohet Maduro; ai pret dënimin që nga 25 qershori, dy muaj përpara fillimit të fushatës së “presionit maksimal” të Donald Trump. Një periudhë kohe jashtëzakonisht e gjatë, që duket se tregon gatishmërinë e tij për të dëshmuar kundër ish-shefit të vet.

Krimet e narkotrafikut dhe roli në procesin amerikan
Një dëshmi e tij mund t’u japë më shumë forcë autoriteteve amerikane, të thirrura në gjykatë për të ofruar prova mbi lidhjet mes Madurros dhe kartelëve të drogës, lidhje të pretenduara disa herë nga Donald Trump, por të zbehura nga beteja kundër emigracionit të paligjshëm dhe nga politika të tjera të administratës, e bindur se Venezuela ka liruar kriminelët e saj më të rrezikshëm drejt Shteteve të Bashkuara.

Por çfarë pritet që të rrëfejë “El Pollo”? Në një letër drejtuar Trumpit dhe popullit amerikan, e shkruar së fundmi nga burgu ku ndodhet, Carvajal Barrios ka akuzuar qeverinë venezueliane se është e përfshirë në trafikun e drogës, në krimin e organizuar dhe në operacione të inteligjencës brenda Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, qeveria venezueliane është shndërruar në një organizatë kriminale që gjatë epokës së Hugo Chavezit dhe udhëheqësit e saj kontrollojnë një rrjet narkotrafiku të drejtuar nga ushtria, të rrënjosur brenda shtetit.

Është e qartë se Carvajal Barrios do të ishte vendimtar për të forcuar akuzat e administratës amerikane për drogë, terrorizëm dhe posedim armësh ndaj ish-udhëheqësit të Venezuelës.

Kush është “Gjeli”
Ish-shef i inteligjencës ushtarake të Venezuelës dhe gjeneral në pension, 66 vjeç, Carvajal Barrios ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Hugo Chavezit, me të cilin kishte marrë pjesë në planifikimin e grushtit të dështuar të shtetit të vitit 1992, që i çoi të dy në burg.

Pas Chavezit, ai u rreshtua me Maduron, duke e mbështetur fillimisht pa hezitim. Por kur ekonomia venezueliane filloi të shembet dhe opozita ndaj Madurros mori hov, gjenerali u distancua nga ish-udhëheqësi i Venezuelës dhe i ktheu shpinën.

Ky ndryshim qëndrimi nuk i pëlqeu aspak Madurros: fillimisht e akuzoi për tradhti dhe më pas e përjashtoi nga ushtria, duke e detyruar në fakt të largohej nga vendi. I arratisur në Spanjë, Carvajal Barrios u arrestua pikërisht aty mbi bazën e një urdhër-arresti amerikan. I ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ai u gjykua në vitin 2023 dhe tani, pas pranimit të fajësisë, pret dënimin, pothuajse me siguri burgim të përjetshëm. Duke dëshmuar kundër Madurros, ai mund të përfitojë një ulje dënimi ose të paktën kushte më të favorshme.

Corriere Della Sera