Mënyra se si u vepra për arrestimin e Ilir Metës ishte e nxituar. Ky është qëndrimi i ish-deputetit Spartak Braho, i cili në një intervistë për Report Tv komenton edhe rastin e Veliajt.
“Për mua kanë qenë të nxituar për arrestimin e Metës, për mënyrën si u veprua. Burgu, burg është. Para ligjit janë të gjithë njësoj. Gjykata ose do e dënojë, ose do e nxjerrë të pafajshëm, por burgu është burg, mos të kërkojnë qiqra në hell. Ndryshon pozicioni i Veliajt dhe i Metës. Masat e sigurimit duhet të zbuten, veçanërisht një pjesë e këtyre që akuzohen për krime të korrupsionit, mund të hetohen dhe gjykohen në gjendje të lirë”, u shpreh Braho.
Sa i takon procesit për kryebashkiakun e Tiranës, Braho thotë se ende nuk po e kuptojmë se për çfarë akuzohet, ndërsa thekson se prokurori Ols Dado është i paligjshëm. Sipas tij, Dado u emërua nga noter në prokuror, pa bërë shkollën e Magjistraturës, çështje të cilinë Veliaj e ka çuar në Gjykatë Administrative dhe kërkon shpalljen e pavlefshme të emërimit të tij si prokuror në vitin 2008.
“Veliaj s’po marrim vesh ca ankohet akoma. S’po marrim vesh, atje vazhdon debati nëse është i ligjshëm apo jo prokurori, që për mua është i paligjshëm. Nuk mund të emërohesh prokuror pa plotësuar kushtet. Duhej të mbaronte shkollën e magjistraturës, u bë nga noter në prokuror”, vijon Braho.
Por, a kanë të ardhme politike Meta dhe Veliaj pas arrestimit? Ish-deputeti thotë se kreu i PL-së është i djegur politikisht, ndryshe nga Veliaj.
“Ilir Meta e ka mbyllur hesapin. Veliaj, nëse do marrë pafajësi nuk e pengon njeri të vazhdojë angazhimin politik të tij. A brenda PS apo jashtë, është tjetër punë. Një vendim penal që e zhvesh nga fajësia nuk ia mbyll dot rrugën për tu angazhuar dhe për të marrë pjesë në politikë. Meta ka lënë një shije të keqe shumë gjatë kohës që ishte President, ka rënë moralisht figura e tij si udhëheqës. Ai mund të rrijë kryetari i PL, por politikisht është i djegur”, thekson Braho.
Lajmi kryesor:
Ish-deputeti Braho në Report Tv: Shkëlzeni bleu gjysmën e Tushemishtit për ndërtime, protestat e Berishës nuk e rrëzojnë Ramën











