Moisi Habilaj, një nga emrat më të përfolur të trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë, u arrestua mbrëmjen e së shtunës, pasi policia kishte rënë në gjurmët e një miku të tij italian, 70 vjeçar, nga Catania. Salvatore Forte, ndodhej me të në tavolinë në momentin kur ndërhynë forcat operacionale. Policia e Vlorës njoftoi sot se arrestimi i Habilajt, është bërë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku ai është dënuar me më shumë se 12 vite burgim.

***

Ka marrë fund arratia e Moisi Habilajt, një emër i cili u bë i njohur, jo vetëm sepse në vitin 2017, grupi i drejtuar prej tij, që merrej me trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë, u godit nga autoritetet italiane, por edhe për shkak të lidhjeve që u zbuluan me ministrin e Brendshëm të kohës Saimir Tahiri. Lidhje të cilat i kushtuan ish zyrtarit të PS, karrierën, dhe e çuan drejt dënimit me burg, pak vite më vonë.

48 vjeçari Habilaj, u gjet në një lokal në bregdetin e Borshit, mbrëmjen e së shtunës.Policia njoftoi sot se kishte mundur ta lokalizonte falë informacioneve të siguruara dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit. Mësohet se ka qenë gjurmimi i një 70-vjeçari italian, Salvatore Forte, që ka ndihmuar në zbulimin e Habilajt. Të dy duket të kenë patur miqësi me njëri tjetrin. Italiani, në fakt është gjetur në tavolinë me Habilajn në momentin që kanë ndërhyrë forcat operacionale, dhe po procedohet në gjendje të lirë për “përkrahje të autorit të krimit”.

Forte është banues në Catania, në Sicili, pikërisht zona ku Habilaj kishte shtrirë aktivitetin e tij të trafikut të marijuanës nga Shqipëria, që sipas hetimeve në Itali, kapte një xhiro biznesi prej 20 milion eurosh. Ishte pikërisht Gjykata e Apelit të Catanias, ajo që e dënoi në vitin 2021, për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, me mbi 12 vite burg Habilajn. Ky i fundit, përfitoi nga arresti në shtëpi, për t’u arratisur duke i shpëtuar dënimit.

Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i Habilajt u bë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, duke shtuar se ndaj tij, është ekzekutuar edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda më 26 dhjetor 2018, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Rasti mund të hapë “një betejë” ligjore mes Shqipërisë dhe Italisë, pasi autoritetet gjyqësore shqiptare mund të kërkojnë po ashtu mbajtjen e tij në vend ku ai ka llogari të hapura  me drejtësinë. Në Janar të këti viti, ai u dënua nga GJKKO, me 10 vite burgim, falë gjykimit të shkurtuar, pasi u gjet fajtor për “trafik të lëndëve narkotike” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Eshtë e paqartë prej sa kohësh Habilaj fshihej në Shqipëri. Në momentin e arrestimit. ai mbante kapele dhe kishte lënë mjekër, në përpjekje për të shmangur identifikimin. Në tavolinë me të ndodhej dhe i biri si dhe një 46 vjeçar shqiptar, Eduart Ahmeti, lidhjet e të cilit me Habilajn, mbeten për t’u qartësuar. Ahmeti, sipas policisë, u arrestua në flagrancë.

Njoftimi i plotë i policisë 

"Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.

Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme."

 

U.D/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • veri: 14/06/2026 15:58

    ORE MOS SENONI NJEREZ KOT..NE AMERIKE HASHASHI SHITET LEGAKISHT NEPER DYQANE TE VECANTA CANABISI....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 14 Qershor, 19:25

    A duhet të krijohet parti e re nga protestuesit?