TIRANE - Pak orë pas lirimit nga paraburgimi të babait të tij, (dje në mesditë, 28 mars) deputeti socialist Sajmir Tahiri doli në një prononcim për median nga selia e PS-së duke e akuzuar ish bodigardin e kryeministrit Berisha, aktualisht nëndrejtor i Policisës së Shtetit Agron Kuliçaj për arrestimin e të atit, Bashkim Tahiri. Mirash Martini, avokati që mori në mbrojtje Nadire Tagën dhe Dritan Gjizën, në një intervistë për Shqiptarja.com tregon lidhjet me numrin dy të Policisë së Shteti, Agron Kuliçaj. Avokati civilist u shpreh, se arrestimi dhe mbajtja në qeli, ka qenë e paligjshme. Në lidhje me akuza se prania e tij në këtë proces ka lidhje me Agron Kuliçajn dhe gjyqi  ka tendenca politike ndaj Saimir Tahirit, Martini shprehet, “S’ka asnjë lidhje. E di edhe vetë deputeti Tahiri”, por pranon se ka qenë dhe është  përfaqësues i tij ligjor në disa çështje.

Z.Martini, klientja juaj Nadire Taga, u lirua një ditë para masës së arrestit. Përse ndodhi kjo dhe a është e ligjshme?
Në cilësinë e avokatit mbrojtës të Nadire Tagës them se klientja ime grua 70-vjeçare u arrestua nga policia, pa asnjë të dhënë apo shkak të ligjshëm që mund të krijonte qoftë edhe dyshim se mund të kishte lidhje me ndonjë vepër penale, Ajo u mbajt në mënyrë krejtësisht të paligjshme për dy ditë në gjendje arresti, në ambientet e policisë.

Jam i bindur, se ajo ishte viktimë e pasionit primitiv të disa strukturave të policisë për të proceduar penalisht Bashkim Tahirin. Jam gjithashtu i bindur, se ky pasion është nxitur nga një ndjenjë, edhe hakmarrëse ndaj mënyrës, se të bërit politikë nga djali i Bashkimit, deputeti Saimir Tahiri.

Policia në këtë rast ka sajuar shume keq dhe në mënyrë shumë abuzive një lidhje të Nadires me ngjarjen, ndërkohë që, ajo nuk kishte asnjë lidhje as me tregtim ilaçesh, aq më pak me kontrabandë apo me ndonjë vepër penale. E vetmja rrethanë që e lidh atë me ngjarjen, është prania e saj afër makinës së Bashkim Tahirit.

Përgjigjen më të mirë për këtë e ka dhënë vetë Prokuroria, e cila sapo është njohur dje me aktet dhe me veprimet e policisë, ka urdhëruar lirimin e saj të menjëhershëm. Ky qendrim i Prokurorisë është i drejtë dhe ligjor, por nuk do të doja të ishte edhe gjysmak.

Prokuroria ka detyrim ligjor, të fillojë hetimet dhe të procedojë penalisht të gjithë ata punonjës të policisë, qe duke vepruar dukshëm në kundërshtim me ligjin dhe për motive që nuk lidhen vetëm me luftën kundër krimit, kanë cenuar rëndë të drejtat dhe lirinë e shtetases që unë mbroj, duke kryer kështu vepër penale.

Sot, gjykata liroi, pra nxorri nga burgu dhe klientitn tuaj tjetër. Dritan Gjiza. Si u argumentua ky vendim nga gjykata?
Gjykata nuk mund ta linte ne burg, Dritan Gjizën, as Bashkim Tahirin, sepse këtë nuk e kërkoi as Prokuroria. Ligji ka parashikuar, se Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të ashpër se ajo që kërkon Prokurori.

Gjykata, në rastin konkret, nuk reagoi sa dhe si duhet ndaj disa shkeljeve proceduriale të policisë dhe të Prokurorisë, si për të mbrojturin prej meje dhe për shtetasin tjetër Bashkim Tahiri, edhe pse për këtë të fundit caktoi një masë më të butë atë të “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Si u lidhet me klientët tuaj, pra, si iu kontaktuan ju si avokat, Taga dhe Gjiza? Njiheshit më përpara, nëpërmjet dikujt tjetër?
Të mbrojturit prej meje, Nadire dhe Dritan janë në lidhje shumë të afërta familjare mes tyre. Dritani është fejuar me mbesën e Nadires, Griselda, e cila ka ardhur në Shqipëri më datën 26 mars 2013 nga Italia, një ditë pas arrestimit të gjyshes së saj Nadires dhe të Dritanit dhe vetëm për këtë shkak.

Ajo më ka kontaktuar dhe ka kërkuar që unë të jem mbrojtës ligjor i të afërmeve të saj. Për këtë ka përpiluar prokurë të posaçme noteriale që më ka emëruar mua dhe një avokate tjetër, si mbrojtës të Nadires dhe të Dritanit.

Në mbrëmjen e datës 26 mars, me këtë prokurë, kam kontaktuar me Nadiren dhe me Dritanin, në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ku ata mbaheshin të arrestuar. Pikërisht atë mbrëmje i kam njohur dhe kontaktuar për herë të parë, të dy ata.

Që nga moment i arrestimit më datën 25 e deri më datën 26, Dritan Gjiza dhe Nadire Taga kanë pasur një avokat të caktuar kryesisht nga policia, të quajtur Florjan Xhemalaj dhe të gjitha dëshmitë e tyre, i kanë dhënë para tij, veprimet hetimore të policisë, kqyrjet dhe kontrollet janë asistuar nga ai. Unë, më 26 jam kontaktuar dhe më pas kam takuar klientin, gjë që tregon se gjatë veprimeve të para proceduriale, s’kam pasur asnjë kontakt apo njohje.

Z.Saimir Tahiri, ju ka përmendur sot (dje), si ish-avokatin e Agron Kuliçaj. Ç’lidhje ka sipas mendimit tuaj?
Nuk jam njohur me deklaratën e deputetit Tahiri. Edhe pse ka shumë kohë që jam indiferent ndaj debateve apo deklaratave politike, meqë paska përmendur emrin tim, do ta dëgjoj, por as tani dhe as më vonë, kur të njihem me çka ai ka thënë, nuk mendoj se ia vlen të bëj ndonjë koment.

Së pari, sepse nuk dua aspak të përziej profesionin tim të avokatit me qëndrimet politike të asnjërit dhe së dyti, nuk më pëlqen mënyra e të bërit politikë, veçanërisht ambienti i ndotur nga shpifjet dhe mllefet primitive të prodhuara nga politika. Por, jam i bindur, se edhe Saimir Tahiri e di shumë mirë që nuk ka asnjë lidhje mes të qenit tim avokat i Agron Kuliçajt dhe mikes time të mirë, 70-vjeçares Nadire Taga dhe Dritan Gjizës.

Saimir Tahiri ka të drejtë të ngrejë zërin dhe të mbrojë familjen e tij, babain e tij, që nga aktet që ndodhen në dosjen hetimore, edhe unë jam i bindur, se është arrestuar dhe mbajtur në arrest në kundërshtim me ligjin, ka të drejtë, madje si deputet ka edhe detyrim të flasë dhe të ngrejë zërin edhe për Nadire Tagën, që unë mbroj.

Ai mund ta përdorë këtë edhe politikisht. Si avokat, në mbrojtje të të drejtave të klientëve të mi nga veprimet e paligjshme të policisë dhe zoti Tahiri, si deputet i opozitës, duhet të kishim të njëjtin zë, duhet të ishin në të njëjtën anë sot.

Por, kjo nuk ka ndodhur, sepse zoti Tahiri, siç duket, synon të përfitojë nga kjo ngjarje politikisht, duke e keqpërdorur atë pa kursyer me këtë rast as emrin tim. Profesionin tim të avokatit e vlerësoj aq shumë, sa nuk kam lejuar dhe nuk do lejoj askënd ta keqpërdorë atë. Do doja që këtë ta dinte mire edhe zoti Tahiri.

Në çfarë procesi e keni mbrojtur Kuliçin dhe cilët mund të kenë qenë proceset tuaja më të rëndësishme?
Me Agron Kuliçajn njihem që në moshën studentore, shumë vite më parë dhe kemi ruajtur raporte shumë të mira dhe korrekte. Kam qenë dhe jam në disa çështje përfaqësues i tij ligjor, si avokat. Për shkak të etikës profesionale, nuk do të citoj apo të jap detaje për çështjet dhe personat që kanë marrë prej meje shërbim avokator.

Por angazhimet profesionale të klientëve të mi, pozitat e tyre në administratën publike, bindjet politike dhe përfshirja e ndonjërit në formacionet politike të majta apo të djathta, nuk me kanë penguar dhe as nuk më pengojnë në ndërtimin e raporteve njerëzore dhe ruajtjen e etikës time profesionale si avokat.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.03.2103

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)