Para nisjes së seancës plenare, Sali Berisha mblodhi të tijtë në mbledhjen e grupit parlamentar. Fjalën e tij e përqendroi te arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke thënë se Edi Rama është shndërruar në një avokat të saj, Ergys Agasit, por edhe të Roni Yeffet apo Belinda Ballukut.

Berisha pretendoi se veprimet e tyre janë bërë me urdhër të Ramës, ndërsa kërkoi që Komisioni i Punëve të Brendshme të nisë urgjentisht hetim për çështjen e ish-kreut të SHISH.

“Rama është shndërruar aktualisht në një avokat të pashembullt në histori të Vlora Hysenit, Ergys Agasit, Roni Yeffetit, Linda Karçanajt, Ermal Beqirit, Belinda Ballukut. I pabesë, i pakarakter siç është, pasi lau duart me ta, tani bën avokatin e tyre. Asnjë njeri nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël se në çdo veprim dhe çdo akt të koordinatorit Ergys Agasi, se çdo veprim dhe akt i Ermal Beqirit, Linda Karçanajt dhe Vlora Hysenit, është urdhri i Edi Ramës, janë ndarja e parave me Edi Ramën, është menaxhimi i parave të Edi Ramës.

Kjo është e vërteta. Zërat po gumëzhijnë dhe ndaj ky kalon nga një dalje televizive në një tjetër, përpiqet të shfajësojë, përpiqet të lehtësojë aktet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar, por akte ndër më të rënda në historinë e botës. Shefja e shërbimit inteligjent, që ka dorëzuar sekretet më të rëndësishme të shtetit tek kartelet e drogës dhe ndërmjetësi i tyre, po të kemi parasysh se këto kartele janë shpallur organizata terroriste nga presidenti i SHBA, kjo shkon në lartësinë e tradhtive më të mëdha. Dhe Edi Rama, nuk po përdor epitete, u thotë shqiptarëve se aleatët e çmojnë Vlorën. Shiko gjer ku arrin ky.

Komisioni i Sigurisë duhet të kërkojë urgjentisht të ndërmarrë hetim në lidhje me veprimtarinë në shkelje të Konventës së Vjenës dhe Kushtetutës të këtij grupi të strukturuar kriminal, që tani del i kryesuar... në fakt kryetar është Edi Rama, Padrino, por në arrest shtëpie është Vlora Hyseni”, tha Berisha.

PD të enjten do të protestojë kundër reformës territoriale. 


Lajmi kryesor:

Arresti i ish-kreut të SHISH, Berisha: Hyseni u rekrutua nga bandat, ju bëheni avokatë! ‘Territorialja’, Balla: Fokusi te shërbimet! Zhupa: Masakër