Është arrestuar këtë të hënë në Tiranë, Zenel Muçmata, Drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë Kukës, vëllai i Sebastian Muçmatës, i cili dyshohet si autor i plagosjes me armë zjarri të Elvis Halilajt, kushëririt të kryebashkiakut të Kukësit, Albert Halilaj, më 19 shkurt. 

Zenel Muçmata është arrestuar nga policia si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “Armembajtje pa leje”. 

Po ashtu, Prokuroria e Kukësit njofton gjithashtu arrestimin e Genci Pingulit dhe Enes Asllanajt,  për përkrahje të autorit 

Më 19 shkurt, 25-vjeçari plagosi me armë zjarri Elvis Halilajn, kushëririn e kryebashkiakut të Kukësit. 

Sebastian Muçmata u dorëzua vetëm disa orë pas ngjarjes. Ai ka deklaruar para grupit hetimor se shkak i konfliktit është bërë largimi nga puna i Elvis Halilajt. Ky i fundit pretendonte se e ka shkarkuar padrejtësisht Drejtori i Shërbimeve Publike në bashki, Zenel Muçmata, vëllai i Sebastianit.

Kushëriri i kryebashkiakut ka rrahur drejtorin dhe të atin, Qerim Muçmata. 25-vjecari, Sebastiani, pretendon se ka ndërhyrë për të mbrojtur familjaret  e tij dhe nuk kishte për qëllim ta vriste të afërmin e kryebashkiakut.