TIRANE - Duke shfrytëzuar postin e tij si punonjës “Security” i një banke në Tiranë një 53-vjeçar ka arritur të vjedhë me anë të mashtrimit llogaritë bankare të më shumë se 20 klientëve, shumë e cila sipas policisë kap shifrën e 20 mijë eurove.

Antikrimi Ekonomik në policinë e kryeqytetit me operacionin “Autorizimi i rremë” ka vënë në pranga 53-vjeçarin Kujtim Vata nga qyteti i Burrelit me banim në Tiranë me pozicion roje i sigurisë private në një bankë të nivelit të dytë.

Ndërkaq televizioni A1 REPORT ka mësuar se Kujtimi është babai i vajzës simpatike ish-konkurrentes së Big Brother Albania, Juna Vatës.

Strukturat e antikrimit Ekonomik bëjnë me dije se: Duke përfituar nga afrimiteti me punonjësit e bankës, Kujtimi i kërkonte atyre autorizimi për të tërhequr para nga llogari të klientëve të tjerë duke mashtruar punonjësit se kish lidhje me këta persona dhe ata ja kishin kërkuar të bënte tërheqje paraje në emër të tyre.

Kjo skemë mashtrimi është pikasur nga punonjësit e bankës të cilët kanë denoncuar në polici, nga ku më pas ka nisur dhe operacioni për arrestimin e 53-vjeçarit. Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka dhënë masën e arrestit burg.

Dëmi ekonomik i shkaktuar nga Kujtim Vata kap vlerën e 20 mijë eurove, ndërsa hetimet për këtë rast vijojnë, për të mësuar nëse roja i sigurisë ka bashkëpunuar me ndonjë person tjetër të stafit të bankës për kryerjen e transfertave me autorizime të rreme.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)