DURRES - Policia e Durrësit ka vënë në pranga personin që bashkëjetonte me vajzën, e cila i vodhi babait të saj një shumë prej 88 mijë franga zvicerane dhe 4 milionë lekë të rinj shqiptar.

22-vjeçari Ismail Xhindi është arrestuar nga blutë e Durrësit nën akuzën e bashkëpunimit në vjedhje me Fatma Buziun të dashurën e tij. Kjo e fundit u arrestua dy ditë më parë pas denoncimit që bënë vetë prindërit e saj se nga banesa e tyre ishte zhdukur një shumë e konsiderueshme parash.

Pas denoncimit policia zbuloi se pas vjedhjes së 88 mijë frangave zvicerane dhe 4 milionë lekëve shqiptare fshihej pikërisht vajza e tyre, 18-vjeçarja Fatma Buziu.

Pas arrestimit të saj policia zbuloi se vjedhja në banesë është kryer nga 18-vjeçarja në bashkëpunim me të dashurin e saj.

Dy të rinjtë pas vjedhjes spektakolare bënë një jetë luksoze. Ata kishin marrë një banesë me qira në qendër të qytetit bregdetar, që më pas e kishin kompletuar me mobilie moderne. Çifti Fatma Buziu 18 vjeçe dhe Ismail Xhindi 22 vjeç kishin shpenzuar pa kriter paratë e vjedhura për 6 muaj me radhë, derisa në datën 3 janar janë vënë re nga i ati i vajzës, Shkëlqim Buziu.

(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)