I lidhën me tel dhe torturuan 3 korrierë droge, kapet Bako Buzheri i dënuar me 21 vite burgim

GJIROKASTËR - Bako Buzheri, i shpallur në kërkim, u arrestua nga policia e Gjirokastrës, akuzuar dhe dënuar nga Krimet e Rënda me 21 vite burgim.

Buzheri është pikasur sot nga forcat e policisë, por sapo ka vënë re praninë e uniformave blu ai është larguar me automjet. Në ndjekje të tij u vunë forca të shumta policie, të cilat mundën ta arrestonin. Edhe në momentin e prangosjes, Bako Buzheri ka kundërshtuar policinë duke bërë rezistencë.

Buzheri është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe prej disa vitesh ka qëndruar në arrati. Ai është dënuar në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit me 21 vite burgim, vendim ky i marë në 25 qershor 2014.

Buzheri akuzohej për veprën penale të “Rrëmbimit të personit” shoqëruar me tortura fizike e psikike. Në materialin përfundimtar të prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se dyshimi për grabitjen e një sasie lënde narkotike ka bërë që tre personat Velo Shele, Ergest Shele dhe Ergys Goxhaj të rrëmbehen dhe të torturohen në mënyrë çnjerëzore nga 7 pjesëtarët e një grupi kriminal që vepron në zonën e Lazaratit në Gjirokastër. Pjesëtarët e këtij grupi kriminal kishin planifikuar të trafikonin një sasi lënde narkotike të llojit marijuanë në drejtim të Greqisë, mirëpo teksa përpiqeshin të vinin në zbatim planin e tyre, gjithçka është rrëzuar, pasi sasia e drogës është vjedhur nga disa persona.

Të 7 pjesëtarët e këtij grupi, kanë kryer verifikime, ku kanë dalë në konkluzionin se lënda narkotike ishte vjedhur nga tre shtetasit Ergest Shele, Velo Shele ndryshe “Kosta Agora” dhe Resul Goxhaj, nga qyteti i Përmetit. Nisur nga kjo situatë, njëri nga anëtarët e grupit, i pandehuri Aleksandër Kalemi, e ka marrë në telefon të dëmtuarin Ergest Shele, duke i kërkuar këtij të fundit të takoheshin në Gjirokastër. Së bashku me vëllain e tij Velo Shelo, ata kanë udhëtuar me autobus nga Përmeti në Gjirokastër, ku pasi janë takuar me të pandehurin Kalemi dhe janë ulur së bashku në një lokal, ata janë gjendur mes disa personave të armatosur. Pikërisht këta persona kanë qenë të pandehurit e mësipërm, të cilët u kanë kërkuar të kthenin mallin e vjedhur, pasi në të kundërt do t’i vrisnin. Dy vëllezërit kanë pohuar se s’kanë vjedhur asnjë kilogram drogë, por pas kësaj ata janë rrëmbyer duke i çuar në një banesë të braktisur në fshatin Lazarat, ku edhe i kanë torturuar për gjatë gjithë natës. Së bashku me ta është torturuar edhe shtetasi Ergys Goxhaj, i cili ka shkuar për të sqaruar situatën, por që më pas është mbajtur peng nga 7 trafikantët.

 “Nxirni mallin”

I pandehuri Aleksandër Kalemi i telefononte shpesh të pandehurit Ergest Shele për ta pyetur për vendndodhjen. Të dëmtuarit Ergest Shele dhe Velo Shele kanë zbritur në vendin e quajtur Ura e Lumit, ku janë takuar me të pandehurin Aleksandër Kalemi, i cili ishte me një makinë tip “Ford” me xhama të zinj. Të dëmtuarit Ergest dhe Kosta kanë hipur në makinën e tij dhe të tre kanë shkuar tek lokal “Fantazia” afër vendit të quajtur Qafa e Pazarit në Gjirokastër, ku kanë qëndruar rreth 15 minuta dhe me makinën e të pandehurit Aleksandër Kalemi kanë shkuar në drejtim të shkollës “Naim Frashëri” në lagjen “Dunavat”. Sapo kanë filluar të zbresin poshtë rrugës, janë ndaluar nga një automjet tip furgon me ngjyrë të bardhë me targa amerikane, që drejtohej nga i pandehuri Arbër Meçi. Në këtë kohë nga furgoni kanë dalë të pandehurit Bledar Muho dhe Kasëm Buzheri, të cilët u janë drejtuar vëllezërve Ergest dhe Kosta me fjalët: “Mos lëvizni!” I pandehuri Kasëm Buzheri e ka goditur me pistoletë në kokë të dëmtuarin Ergest Shele duke i thënë: “Më njeh mua… ju që donit të më vidhnit mallin mua”. Më pas kanë goditur me grushte Ergestin dhe Kostën në trup, duke i detyruar të hipnin në një furgon me ngjyrë të bardhë dhe janë nisur drejt fshatit Lazarat. Në afërsi të fshatit Kordhocë, të dëmtuarit janë detyruar të hipin në automjetin e markës “Audi Q7” me ngjyrë të zezë, që drejtohej nga i pandehuri Alfons Buzheri dhe kanë vazhduar rrugën për në fshatin Lazarat. Në furgon kanë hipur edhe të pandehurit Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe Aleksandër Kalemi. Të pandehurit i kanë çuar të dëmtuarit në një shtëpi të braktisur në fshatin Lazarat, duke ushtruar ndaj tyre dhunë ç’njerëzore.

Lidhja me tel

I pandehuri Alfons Buzheri e ka lidhur të dëmtuarin Ergest Shele këmbë dhe duart me tel xingato dhe ka filluar ta godasë me shkelma e grushte duke i thënë: “Nxirrni mallin! Kush e ka marrë?” Më pas në dhomë kanë hyrë të pandehurit Bako Buzheri, Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët kanë filluar ta godasin Ergestin me shkelma e grushte dhe i drejtoheshin me fjalët: “Ku e keni mallin?” Në të njëjtën kohë të pandehurit godisnin edhe të dëmtuarin Velo Shele, të cilin më pas e kanë lënë të lirë, duke e kërcënuar me jetën e të vëllait nëse kallëzonte në polici. I pandehuri Alfons Buzheri ka vazhduar të godasë me shkelma e grushte të dëmtuarin Ergest Shele për ta detyruar që të pranonte se “mallin e kishte vjedhur bashkë me Resul Goxhaj dhe Alban Rustemin”. Disa minuta më pas, në dhomë është sjellë dhe Ergys Goxhaj, i cili pasi është torturuar, ka pranuar se mallin e kishte vjedhur ai.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A.n.: 17/08/2019 19:06

    Per cdo kriminel qe kapin lindin 10 te tjere. Fatmiresisht vitet e fundit kane rene lindjet dhe rrjedhimisht do kriminele me "limited edition"

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Dëshmitë e krimit, Kosova bëhet me muze të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Dëshmitë e krimit, Kosova bëhet me muze të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës