TIRANEKryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është arrestuar sot me vendim të GJKKO-së pasi akuzohet për për veprat penale të "korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë", në 9 raste si dhe "pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Në pranga ka përfunduar edhe Elman Abule, përfaqësues i RAMETAL (ish "METALFORM"), i cili bashkë me bashkëshorten konsiderohet mik i afërt i familjes Veliaj.

Ndërkohë është firmosur arrest shtëpie për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe detyrim me paraqitje për 5 biznesmenë, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha të cilët akuzohen nga SPAK për veprën penale korrupsion aktiv. Ata dyshohet se kanë marrë tendera të dyshimtë pranë Bashkisë së Tiranës.

Arrestimi i Veliajt
Agjentët e BKH-së u paraqitën sot në mesditë rreth orës 14:00 në ambientet e zyrave të bashkisë së Tiranës për t'i komunikuar kryetarit të bashkisë vendimin e GJKKO-së për masën e sigurisë 'arrest me burg'. Më pas me makinën e tij Veliaj u shoqërua drejt bllokut të sigurisë, në rrugën Mine Peza" në Tiranë. 

Masa arrest shtëpie për Xoxën nuk u ekzekutua menjëherë, pasi ajo ndodhej në Itali për kurim. Pasi u njoh me masën e sigurisë, Xoxa fluturoi nga Roma për në Tiranë mbrëmjen e sotme, 10 shkurt, për të zbatuar masën. Agjentët e BKH e shoqëruan nga Rinasi për në banesë.

Dosja ndaj Veliajt po hetohet nga Olsi Dado dhe Altin Dumani dhe Erion Bani gjyqtari që firmosi masat e sigurisë. Ndërkohë kryeministri Rama ka anuluar  takimet që kishte parashikuar ditën e sotme, 10 shkurt, në Shkodër.

Masat e sigurisë të firmosura nga GJKKO deri tani
Erion Veliaj - 'arrest me burg' - Ekzekutohet masa - Akuzohet 
Ajola Xoxa - 'arrest shtëpie' - E paekzekutuar masa 
Elman Abule - Biznesmen - arrest me burg -  Ekzekutohet masa
Shkëlqim Fusha biznesmen - Detyrim me paraqitje 
Gentian Sula, biznesmen - Detyrim me paraqitje
Meriman Palushi, biznesmen - Detyrim me paraqitje
Fatmir Bektashi, biznesmen  - Detyrim me paraqitje
Sokol Kryeziu, biznesmen - Detyrim me paraqitje

 

Si nisi hetimi?
Akuza e SPAK bazohet mbi kallëzimin e personit anonim, Nesti Angoni. Kallëzimi u dërgua me postë në SPAK. Nisur nga kjo u regjistrua dosja në hetim por nuk ishte regjistruar emri i kryebashkiakut si person nën hetim. 

Në dhjetor 2024 Kryebashkiaku i Tiranës dëshmoi para agjentëve të BKH-së si person që kishte në lidhje me veprën penale të korrupsionit pasiv, ndërkohë që kishte nisur dhe hetim pasuror. Edhe familjarët e tij janë marrë në pyetje si persona që kanë dijeni.

Më 6 dhjetor 2024 SPAK sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Me vendim të GJKKO kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ tek ish-Blloku ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura nga prokurori Ols Dado, në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij. Ndërsa i është ushtruar kontroll dhe në banesën e vëllait të Erion Velisë.

Akuzat
Veliaj u  akuzua sot për veprat penale të "korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë", në 9 raste si dhe "pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale". Ndaj bashkëshortes së tij, SPAK thotë se rëndojnë akuzat korrupsion pasiv, pastrim parash e fshehje pasurie. Ndërkohë të 5 biznesmenët akuzohen nga SPAK për veprën penale korrupsion aktiv. Në hetim, SPAK njofton se ka vënë në hetim edhe një deputete (Klotilda Bushka), që sipas prokurorisë së posaçme ka penguar zbulimin e së vërtetës. Dy prokurorët që hetuan çështjen janë Ols Dado dhe Altin Dumani. 

SPAK-u thotë  se kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka miratuar  shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të. 

"Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar 'de jure' dhe 'de facto' nga bashkëshortja e tij,  Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh" thekson SPAK.

Ky grup personash sipas SPAK, përvec pasurive të paluajtshme që kanë përfituar, kanë gjeneruar të ardhura, të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë informoi sot SPAK.

Organi procedues ka arritur në konkluzionin se, përveç pasurive të paluajtshme të përfituara nga shtetasit nën hetim (nën regjimin pasuror të bashkësisë ligjore), këta të fundit, vetëm përmes shoqërive “P. L.” shpk, “A. L.” shpk, “A. S.” shpk, “N. G.” shpk, “H.” OJF, “E.” OJF, “B.-A” OJF dhe “M.” OJF, për të cilat ekzistojnë prova të mjaftueshme se kontrollohen plotësisht nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, por edhe “RAMETAL” shpk dhe shoqëri të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim Elman Abule, kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 lekë" informon SPAK 

Ndiqni  më poshtë lajmet në zhvillim 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:28
Ajola Xoxa kthehet në Tiranë për të zbatuar masën arrest shtëpie! Momenti kur agjentët e BKH e shoqërojnë nga Rinasi (VIDEO)

Ajola Xoxa është kthyer në Tiranë për të zbatuar masën e sigurisë arrest shtëpie të caktuar ndaj saj me vendim të GJKKO. Bashkëshortja e kryebashkiakut ishte në Itali për kurim dhe pasi është njoftuar për masën e sigurisë të vendosur ndaj saj, Xoxa u kthye në Tiranë me një fluturim nga Roma mbrëmjen e sotme, 10 shkurt.

Shqiptarja.com sjell me video momentin kur Xoxa u fut në makinën e Policisë së Tiranës. Ajo është shoqëruar nga agjentë të BKH, të cilët do të ekzekutojnë edhe masën arrest shtëpie të vendosur ndaj saj.

SPAK e akuzon Xoxën për 3 vepra penale, korrupsion, pastrim parash dhe fshehja pasurie.

Ora 18:59
GJKKO i caktoi arrest në shtëpi, Ajola Xoxa do kthehet sonte në Shqipëri për të zbatuar vendimin

Ajola Xoxa do kthehet në Shqipëri për të zbatuar masën arrest shtëpie të caktuar ndaj saj, pasi ndodhej në Itali për kurim. 

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme ndaj Xoxës është firmosur masa e sigurisë ‘arrest në shtëpi’.

Xoxa do niset për Shqipëri me një fluturim të mbrëmjes së sotme. 

Ora 16:49
Arrestimi i Veliajt, GJKKO vendos në masë arresti në burg edhe biznesmenin Elman Abule

1739202640_elanabule.JPG

Lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas hetimit të SPAK, janë vënë nën masa sigurie edhe persona të tjerë.

Një prej tyre është biznesmenti Elman Abule, administrator i Rametal SHPK, i vënë dhe ai në masën e ‘arrestit në burg’. Abule dyshohet nga SPAK për veprën penale të pastrimit të parave.

'Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale, për një shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal, përfaqësues i subjektit tregtar “……..” shpk;', njofton SPAK.

Ora 16:03
Arrestimi i Erion Veliajt, ja dy akuzat që rëndojnë ndaj kryebashkiakut të Tiranës

1739197147_arrestoheterionveliaj.jpg

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion veliaj rëndojnë dy akuza, korrupsioni dhe pastrim parash.

Ora 15:25
Arrestimi i Veliajt, avokatët pranë bllokut të sigurisë 'Mine Peza'

 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua sot nga agjentët e BKH, pas një hetimi nga ana e SPAK, pas kallëzimit të personit anonim Nesti Angoni.

Ndërkohë, GJKKO ka caktuar masën e arrestit në shtëpi për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa.

Report Tv ka sjellë pamjet e momentit të arrestimit të Veliajt para bashkisë dhe mbërritjes në bllokun e sigurisë ‘Mine Peza’.

Gjithashtu gazetari Sokol Dema ka përcjellë dhe pamjet e pranisë së avokatëve të Erion Veliaj pranë bllokut të sigurisë Mine Peza.

Ora 15:20
EMRAT/ Arrestimi i Veliajt, GJKKO vendos detyrim paraqitjeje edhe për 5 biznesmenë, mes tyre Fatmir Bektashi e Gentian Sula

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se GJKKO ka caktuar masa detyrim paraqitjeje për pesë biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha. Masat janë caktuar për të njëjtën çështje për të cilët u arrestua kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Dyshohet se biznesmenët kanë marrë tenderë të dyshimtë pranë Bashkisë së Tiranës.

Fatmir Bektashi është një emër i njohur jo vetëm në fushën e biznesit, por edhe për drejtësinë, pasi rezulton i marrë i pandehur për dosjen e aferës Partizani nën akuzë për korrupsion. Bektashi ka në pronësi kompaninë e ndërtimit ‘Kontakt Al’, ortak i kompanisë Homeplan, e cila ndërtoi pallatet në ish-klubin Partizani. 

Shkëlqim Fusha po ashtu është një biznesmen i njohur kryesisht për aktivitetet e tij në industrinë e ndërtimit. Sipas të dhënave nga QKB, Shkëlqim Fusha zotëron 100% të aksioneve të Fusha sh.p.k. Po ashtu, Shoqëria Koncesionare ‘Tirana 4’ është një subjekt i lidhur me kompaninë "Fusha sh.p.k.", ku kjo e fundit zotëron 32.9% të aksioneve. Administratori i kompanisë është Elti Fusha, djali i biznesmenit Shkëlqim Fusha.

Meriman Palushi është një sipërmarrës i njohur për aktivitetet e tij në sektorin e ndërtimit dhe energjisë. Ai është themelues dhe pronar i vetëm i kompanisë "PALUSHI" sh.p.k., e cila operon në fusha të ndryshme, përfshirë ndërtimin e rrugëve, ndërtesave civile dhe industriale, si dhe prodhimin dhe shitjen e energjisë elektrike.

Edhe Sokol Kryeziu është një biznesmen i përfshirë në sektorin e ndërtimit dhe projekteve infrastrukturore. Sokol Kryeziu është zotërues i kompanisë "GERARD - A" sh.p.k.

Ora 15:20
Arrestimi i Erion Veliajt, kryebashkiaku u dërgua në Bllokun e Sigurisë, ja momenti kur makina largohet  

 

Report Tv dhe Shqiptarja. com kanë siguar pamjet kur është larguar makina që e ka dërguar te Blloku i Sigurisë te Mine Peza në Tiranë, kryebashkiakun Erion Veliaj

Në makinë shihet edhe agjenti i BKH, Hekuran Bregu, i cili e shoqëroi Veliajn tek Blloku i Sigurisë. 

Ora 15:06
Nuk ekzekutohet masa arrest shtëpie për Ajola Xoxën, ndodhet jashtë shtetit për kurim

Me vendim të GJKKO, ndaj bashkëshortes së Erion Veliajt është caktuar masa arrest shtëpie. Por, burime bëjnë me dije se masa ndaj saj nuk është ekzekutuar ende pasi Ajola Xoxa ndodhet jashtë Shqipërisë, për shkak të problemeve shëndetësore. 

Ora 14:41
Arrestimi i Erion Veliajt, dërgohet te Blloku i Sigurisë

 

Pas arrestimit, burime bëjnë me dije se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është dërguar te Blloku i Sigurisë te Mine Peza në Tiranë. Me vendim të GJKKO, ndaj kryebashkiakut të Tiranës është caktuar masa arrest me burg, ndërsa për bashkëshorten e tij masa arrest shtëpie. 

Ora 14:39
Arrestimi i Erion Veliajt, burime: GJKKO ka lëshuar edhe 5 masa sigurie

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se se GJKKO ka lëshuar 5 masa sigurie. Tre detyrim me paraqitje.  Për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa është firmosur ‘arrest shtëpie’ ndërsa për kryebashkiakun Erion Veliaj, ‘arrest me burg’, informon gazetarja Keti Banushi.

Ora 14:26
VIDEO/ Momenti kur agjentët e BKH-së marrin Veliajn nga godina e bashkisë së Tiranës

Shqiptarja.com dhe Report Tv siguron pamjet e shoqërimit të kryebashkiakut Erion Veliaj mesditën e sotme. Veliaj ka qenë në zyrë kur agjentët e BKH-së I kanë komunikuar vendimin e GJKKO-së.