Një mjek i Akademisë së Sigurisë së Tiranës, është arrestuar sot pasi akuzohet për korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike si dhe falsifikim të dokumenteve shëndetësore. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën me dije se në përfundim të hetimeve disa mujore, në pranga ka rënë Arjan Xhaferraj

Arrestimi i tij u konkludua pas një hetimi me metoda speciale disa mujor të Drejtorisë së Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut A. Xh., i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjeksore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademise së Sigurisë, informoi sot prokuroria e Tiranës.

Sipas njoftimit, bëhet me dije se mjeku Arjan Xhaferraj merrte ryshfet 1 mijë deri në 2 mijë lekë për të lëshuar raporte mjekësore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademisë së Sigurisë. Janë dokumentuar deri në 45 raste të tilla kur mjetku ka përfituar ryshfet.

“Të dhënat e hetimeve paraprake, u vlerësuan veçanërisht për shkak të rrethanave të faktit, pasojës  dhe rrezikshmërisë së veprës penale, ku kursantët që synohet të dalin në terren dhe të sigurojnë zbatimin e ligjit, edukohen në të kundërt që në embrionin e tyre profesional. Akademia e Sigurisë është vendi ku përgatiten oficerët e rinj të Policisë së Shtetit, të cilët në një të ardhme të afërt do të përballen me forma të ndryshme të krimit dhe do të jenë garantuesit e zbatimin e ligjit”- theksohet në njoftim.

Më 13 dhjetor Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest me burg për mjekun e akademisë së sigurisë dhe vendimi u ekzekuta nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore më 14 dhjetor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:27
EMRI/ Jepte raporte mjekësore fiktive për studentët në këmbim të 2 mijë lekëve, publikohen pamjet e arrestimit të mjekut të Akademisë së Sigurisë

 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka publikuar videon e arrestimit të mjekut të Akademisë së Sigurisë, Arjan Xhaferraj, i cili sipas hetimeve të kryera, dyshohet se u merrte ryshfet 1 mijë deri në 2 mijë lekë studentëve të akademisë për t’u dhënë raport mjekësor fiktiv.

Sipas njoftimit, janë dokumentuar deri në 45 raste të tilla të ndërveprimit korruptiv.