Arrestohet në Fier, lidhi, vodhi
dhe vrau ish-policin italian në Itali

Arrestohet në Fier, lidhi, vodhi<br />dhe vrau ish-policin italian në Itali
TIRANË - Nëntë muaj pas rrëmbimit me pasojë vdekjen e ish-policit italian, Ugo Canozzi në krahinën e Lukas në Itali, arrestohet në Fier një nga autorët  e dyshuar të këtij krimi. Florind (Lorenc) Marini nga Libofsha e Fierit, është arrestuar nga policia lokale, pasi që nga 15 gushti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia italiane ka sjellë në Shqipëri të gjitha provat që akuzojnë të riun nga Fieri. Ai është vënë në pranga në fshatin e tij në Daullë të komunës së Libofshës. Sipas policisë, që kur kishte ardhur në Shqipëri kur ishte kthyer nga Italia, Marini nuk kishte ndonjë aktivitet por rrinte në fshatin e tij.

Burime nga Policia e Fierit, kanë bërë të ditur se arrestimi i tij është bërë në orën 23.00 të një dite më parë në lokalin e fshatit të tij. Marini ka tentuar që të largohet, për ti shpëtuar arrestimit, por duke qenë se policia e kishte rrethuar zonën ai është vënë në pranga. Gjatë kontrollit personal, atij i është gjetur edhe një sasi lëndë narkotike, kanabis sativa.

Në datën 15 gusht, policia italiane kishte arrestuar në aeroportin e Malpensas bashkëpunëtorin e Marinit, Besnik Metushin, 25 vjeç, kur po hynte në Itali nga Greqia. Dy të rinjtë shqiptarë, akuzohen se në datën 15 janar të vitit 2013, kanë rrëmbyer, vrarë dhe vjedhur, ish-policin italian, Ugo Canozzi, 82 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në banesën e të moshuarit, në Kastagnola në Minuçiano të krahinës së Lukas në Itali.

Karabinierët italianë ishin vënë në gjurmët e shqiptarëve pak ditë pas krimit. Siç bën të ditur gazeta italiane “Corriere”, dy shqiptarët e dyshuar për krimin, ishin larguar nga shteti fqinj, Itali.

Sipas policisë, Metushi kishte shkuar në Greqi me makinë dhe ka hyrë në Itali me avion për tu vënë në pranga në aeroport.

Ugo Canozzi, 82 vjeç është vrarë gjatë një grabitjeje të shkuar keq, citon gazeta italiane, policinë e Lukas. 82-vjeçari ishte gjetur i pajetë nga i biri. Atë e kishin lidhur në krevatin e dhomës. Nga autopsia është zbuluar se vdekja e të moshuarit ka ardhur si pasojë e asfiksisë për shkak të një cope që hajdutët i kishin hedhur në fytyrë.
 
JA NJOFTIMI I POLICISË NË FIER
Bie në pranga një i ri nga Fieri, pasi akuzohet se ka marrë peng, ka vjedhur dhe ka vrarë një qytetar italian. Florind Marini ishte i kërkuar  nga Interpol Roma, për akuzat e vrasjes, rrëmbimit, vjedhjes, të kryera bashkë me disa persona të tjerë. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, gjatë operacionit të koduar “Minucano“, në bashkëpunim dhe me Interpol Romën është bërë kapja dhe arrestimi i të shpallurit në kërkim ndërkombetar, Florind Miter Marini, 23 vjeç, banues në Libofshë Fier.

Policia ka bërë të ditur se, ndalimi i 21-vjeçarit është bërë pasi Prokuroria e Lukas në Itali, në datën 15 korrik 2013, ka nxjerrë një urdhër arresti ndërkombëtar për këtë person. Shpallja e tij në kërkim është bërë pasi dyshohet se me datë 15 janar 2013 në qytetin e Miniçianos në Itali, në bashkëpunim me disa persona të tjerë kanë kryer grabitje të armatosur në banesën e një qytetari italian.

I riu dyshohet se bashkë me persona të tjerë, e kanë lidhur lidhur italianin në banesë, ku si pasojë e asfiksisë ky i fundit ka gjetur vdekjen. Prokuroria italiane, e akuzon Florind Marini për veprat penale “vrasje”, “rrëmbim” dhe “vjedhje të kryera në bashkëpunim. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për veprime të mëtejshme.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit