Tony Boy, reperi italian që numëron rreth një milion ndjekës në Instagram, është arrestuar nga në Milano.
26-vjeçari mbante në shtëpi kokainë, marijuanë dhe hashash, një pistoletë me numër serie të fshirë dhe rreth 50 fishekë.
Reperi është dërguar në burgun e San Vittore dhe akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin dhe armëmbajtje pa leje.
Gjithashtu po hetohet për rezistencë ndaj efektivëve, përvetësim të sendeve të vjedhura dhe për përpunim të paligjshëm të të dhënave, pasi filmoi kontrollin e policisë dhe bëri një transmetim direkt në rrjetet sociale, ku dëgjoheshin zërat e policëve.
Tony Boy, emri i vërtetë i të cilit është Antonio Hueber, ndodhej përpara banesës së tij në sheshin Ferravilla, në zonën Città Studi, i ulur në sediljen e pasme të një makine me një mikun e tij 32-vjeçar, sudanez, kur u pikas nga një patrullë policie në zonë pak pas orës 5 të mëngjesit të djeshëm.
Efektivët iu afruan për një kontroll, por të dy dolën nga automjeti duke pretenduar se duhej të shkonin të merrnin dokumentet në banesën përballë, duke mbyllur portën dhe duke penguar kështu policët që t’i ndiqnin. Reperi dhe miku i tij më pas u kthyen te makina, ku në fakt i mbanin dokumentet, dhe policët gjetën një qese të vogël me kokainë në sediljen e pasme.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm, policia konstatoi se 32-vjeçari kishte precedentë për drogë dhe për këtë arsye vijoi me kontrollin e banesës, ku reperi nisi një transmetim live në rrjetet sociale: “Këta persona janë në shtëpinë time pa mandat”, u shpreh reperi duke iu drejtuar ndjekësve të tij. “Po filmoj vetëm veten, nuk po ju filmoj ju, por nuk e kuptoj pse jeni në shtëpinë time”.
Në banesë u gjetën rreth 4 gramë kokainë, 8 gramë hashash, një qese me 1 gram marijuanë, një peshore, një pistoletë e kalibrit 6.35 me numër serie të fshirë dhe një karikator me 7 fishekë, si dhe 41 fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshëm.
32-vjeçari sudanez është nën hetim në gjendje të lirë për rezistencë ndaj një zyrtari publik.









Komente
Komento