SPANJË - Arrestohet në Spanjë "truri" i grupit kriminal Bajri të Shkodrës, Enver Bajri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Lajmi konfirmohet nga Policia e Shtetit, ku thuhet se në koodinim të plotë dhe intensiv të veprimeve me Policinë spanjolle dhe Policinë italiane kanë arritur të ndalojnë paraditen e kësaj të shtune.  

Bajri dyshohet se është drejtuesi i grupit kriminal “Bajri”, që ishte aktiv kryesisht në zonën e Shkodrës dhe u godit disa javë më parë nga Policia e Shtetit në një operacion të gjerë. Enver Bajri u ndalua rreth orës 11:30 minuta të ditës së shtunë në San Huan, Alicante, Spanjë. 

Enver Bajri dhe pistoleta që iu gjet me vete nga policia spanjolle 

Policia e Shtetit ishte në gjurmim të tij, duke përdorur metoda speciale të hetimit dhe në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligj zbatuese, arritën të konkretizonin kërkimin me arrestimin e tij. Bajrit në momentin e ndalimit iu gjet një armë pistoletë, që e mbante pa leje dhe rreth 9 mijë euro.

Enver Bajri

Ai është i dënuar edhe në Itali me 6.6 vite burg për veprat penale të “Organizim i emigracionit të paligjshëm”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim”.

Policia e Shtetit organizoi një operacion në lagjet Kiras e Dobraç të Shkodrës si dhe në Tiranë mbrëmjen e 21 shtatorit, duke vënë në pranga 9 anëtarë të grupit kriminal "Bajri", ndërsa dy të tjerë, përfshirë edhe Behar Bajrin, i cili akuzohet se ka vrarë bashkëshorten vetëm 15 vjeçe, Fabiola Bajri, u arrestuan në Holandë.

Më konkretisht, në prangat ranë Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë, Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë, Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër, Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër, Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër, Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër, Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë, Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër, Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër, Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë, Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.