Policia e Kosovës ka arrestuar në Zveçan një person me inicialet I.M., i dyshuar për përfshirje në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës gjatë tensioneve të majit 2023 në veri të vendit.

Sipas një njoftimi të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, arrestimi u krye nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

I dyshuari po hetohet për veprat penale "Sulm ndaj personit zyrtar", "Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm", "Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese" dhe "Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare".

Sipas autoriteteve, arrestimi erdhi pas një sërë veprimesh hetimore që lidhen me ngjarjet e majit 2023, kur protestat në veri të Kosovës u shoqëruan me përleshje të dhunshme, ku mbetën të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe efektivë të Policisë së Kosovës.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vijojnë dhe se do të ndërmerren të gjitha veprimet procedurale të nevojshme.

Arrestimi lidhet me ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan, kur serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut, pas zgjedhjeve lokale që ishin bojkotuar nga komuniteti serb. Përplasjet u përshkallëzuan në dhunë, ku mbetën të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre me lëndime të rënda.

Kosova ka akuzuar Serbinë se pas incidenteve qëndronin grupe kriminale të lidhura me presidentin Aleksandar Vuçiç, ndërsa Beogradi i ka hedhur poshtë këto akuza, duke pretenduar se përgjegjës për tensionet ishte qeveria e kryeministrit Albin Kurti. Pas ngjarjeve në Zveçan dhe sulmit të armatosur në Banjskë në shtator 2023, KFOR-i shtoi praninë e tij ushtarake në Kosovë.

Autoritetet theksojnë se I.M. konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me një vendim të formës së prerë të gjykatës.