KOSOVË- Reperi shqiptar, Rigels Rajku i njohur si Noizy është arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës. Noizy është arrestuar sapo ka kaluar kufirin për në Kosovë, kishte një urdhër arresti për reperin. Pista e parë ku dyshohet është sherri i fortë që Noizy ka pasur në vitin 2016 me reperin Cozman.

“Mbrëmë në pikën kufitare, në Vermicë nga policia është ndaluar një person, i cili është shoqëruar në stacionin policor Qendra në Prishtinë. Ndaj tij ka  qenë aktive një urdhëresë të gjykatës. Zyrtarët policor në koordinim me institucionet përkatëse, po kryejn veprimet e nevojshme procedurale”, tha zëdhënësja për Express.

Megjithatë qëndrimi i tij në paraburgim nuk ka zgjatur shumë. Sipas vendimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, ishte i detyruar ta mbante 100 ditë burgim ose të paguante gjobë prej 2000 eurosh. Noizy zgjodhi të paguante gjobën duke u liruar. Për të konfirmuar lirimin, ka publikuar një foto në “Instagram” ku shfaqet brenda një ashensori.