Ekipi i Kaljarit në Serinë A është përfshirë nga telashet pas arrestimit të presidentit Massimo Cellino. Por bashkë me të janë arrestuar edhe kryetari i bashkisë së qytezës “Quartu”, Mauro Contini dhe drejtori i punëve publike Stefano Lilliu.

Të arrestuarit akuzohen për korrupsion në përvetësimin e fondeve publike për ndërtimin e stadiumit ‘Is Arenas’. Problemet me stadiumin nuk kanë pasur të mbaruar për ekipin e Kaljarit këtë edicion.

Fillimisht stadiumi “Sant Elia” u cilësua i papërshtatshëm për të zhvilluar ndeshje, pasi nuk i plotësonte kushtet. Kjo bëri që presidenti i ekipit, Cellino të mendonte për impiantin e ri që do të ndërtonte më pas me emrin “Is Arenas”, por as kështu nuk përfunduan problemet, pasi fusha konsiderohet ende larg standardeve të kërkuara nga Federata Italiane e Futbollit.

Gjithë këto lëvizje kanë bërë që Kaljari të ndëshkohet me një humbje 0-3 në tavolinë përballë Romës në fillim të edicionit. Ndërsa përsa i përket të arrestuarve policia i kishte nisur hetimet në fund të muajit nëntor.