GENOVA- Natën e kaluar një i ri shqiptar është arrestuar, në gjendje të dehur, nga ana e Policisë italiane dhe pasi fillimisht nuk i’u bind urdhërit që të jepte të dhënat personale dhe, pas një ndjekje të shkurtër ka bërë dhe rezistencë gjatë arrestimit duke goditur një prej policëve.
 
I riu Shqiptar, 28 vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur, është ndaluar natën e djeshme në Sheshin Mazzini, Genova, nga një polic italian me veshje civile pasi po debatonte ashpër me një person të tretë. Efektivi i policisë vuri re se i riu ishte i dehur dhe pasi i kërkoi dokumentat ky i fundit filloi të bënte rezistencë.
 
Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur dhe një njësi e ndërhyrjes së shpejtë por që nuk ka mundur të neutralizojë 28 vjeçarin pa u detyruar që ta ndjekë për disa çaste nëpër rrugët e qytetit. Në momentin e neutralizimit të të riut, sipas verbaleve të policisë, ky i fundit ka goditur një prej efektivëve duke i shkaktuar dëme fizike me një prognozë prej 15 ditësh.
 
28 vjeçari është dërguar në ambientet e paraburgimit, ku edhe raportohet se ka mbajtur të njëjtën sjellje të dhunshme ndaj policisë.
 
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)