TIRANE - Zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea dhe Koordinatori Kombëtar për Antitrafikimin në Malin e Zi, Zoran Ulama kanë nënshkruar sot protokollin shtesë për Intensifikimin e Bashkëpunimit në Luftën kundër Trafikimit të Personave dhe për përmirësimin e identifikimit, njoftimit, referimit dhe kthimit vullnetar të ndihmuar të viktimave, apo viktimave të mundshme të trafikimit.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast zëvendësministrja, Elona Gjebrea tha se marrëveshja e sotme vjen në kuadër të angazhimit të përbashkët mes dy palëve në luftën kundër trafikimit të personave, krimit të organizuar dhe shfrytëzimit të njerëzve.

Sipas Gjebras, firmosja ë një marrëveshje të tillë do të bëjë të mundur shkëmbimin e informacionit jo vetëm për rastet e trafiqeve por edhe në rast të fëmijëve e grave të shfrytëzuara apo në situatë të rrezikuar trafikimi dhe për t’u shfrytëzuar për punë të detyruar.

“Protokolli shtesë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Malit të Zi, erdhi edhe si nevojë e intensifikimit të bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy vendeve dhe plotëson më së miri Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës të Malit të Zi, për bashkëpunim në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafiqeve të paligjshme dhe aktiviteteve të tjera ilegale. Ky protokoll shtesë do të sjellë shkëmbimin e rregullt të informacioneve, me anë të të cilave do të bëhet i mundur parandalimi, identifikimi dhe dokumentimi i veprave penale që lidhen me trafikimin e personave. Ajo çka vlen për t'u theksuar është se, shkëmbimi i informacionit nuk do të kufizohet vetëm për rastet e trafikimit, por edhe për situata të tjera, sidomos në rast të fëmijëve e grave të shfrytëzuara apo në situatë të rrezikuar trafikimi dhe për t’u shfrytëzuar për punë të detyruar.” tha Gjebrea

elona gjebrea

Gjebrea: Shërbime dhe asistencë për viktimat e mundshme të trafikimit
Më tej zëvendësministrja tha se koordinimi dhe bashkëveprimi ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi do të sjellë edhe një qasje proaktive dhe gjithëpërfshirëse të strukturave të zbatimit të ligjit dhe aktorëve që ofrojnë shërbime dhe asistencë për viktimat e mundshme të trafikimit.

Adresimi i masave konkrete me veprime të përbashkëta, me qëllim parandalimin e trafikimit dhe shfrytëzimit, si dhe mbulimin e një fushe sa më të gjerë të nevojave, tendencave dhe specifikave të ndryshme të fenomenit do të sjellë një qasje proaktive dhe gjithëpërfshirëse të strukturave të zbatimit të ligjit dhe aktorëve që ofrojnë shërbime dhe asistencë për viktimat e mundshme të trafikimit. Jo më kot, në grupet tona të përbashkëta, ka pasur përfaqësues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të Prokurorisë, përfaqësues të Shërbimit social, pra të gjithë agjencive ligjzbatuese që punojnë për të adresuar sa më mirë problemin e luftës kundër trafikimit të personave. Shpreh bindjen time dhe ndërkohë bindjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme se me zbatimin e këtij protokolli, bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, do të jetë më efikas dhe do të ngrejë në një nivel më të lartë angazhimin dhe përgjegjshmërinë e aktorëve antitrafik. Përpjekjet tona të përbashkëta, vullneti për të kryer me rigorozitet detyrimet që dalin nga ky protokoll, do të çojnë në identifikimin, referimin, mbrojtjen e viktimave, duke bërë të mundur dhe kthimin e tyre në jetën normale, si dhe në identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve”.

Marrëveshja e firmosur sot është në në vijim të përpjekjeve të Shqipërisë për përmirësimin e bashkëpunimit policor ndërkufitar me vendet fqinje për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e viktimave potenciale të trafikimit, si dhe për të intensifikuar shkëmbimin e shpejtë dhe të saktë të informacionit policor dypalësh.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)