“Koalicioni Shqiptar” do të quhet lista e përbashkët e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, me të cilën do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Ish-presidenti Ilir Meta ka përshëndetur marrëveshjen nga qelia duke e quajtur si mundësi historike që çdo votë të jetë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe për demokratizimin e Serbisë.
"Përshëndes marrëveshjen politike të arritur mbrëmë, mes drejtuesve të partive nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Ky bashkim është një mundësi historike për ta shndërruar çdo votë, të dobishme, për një zë të fuqishëm dhe të unifikuar, jo vetëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, por edhe për demokratizimin e Serbisë.
Përfaqësimi i përbashkët dhe dinjitoz në Kuvendin e Serbisë është një hap i rëndësishëm dhe domethënës, jo vetëm për të qenë pjesë aktive e proceseve vendimmarrëse por edhe për të avancuar të gjitha çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën, të drejtat dhe të ardhmen e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës", shkruan Meta.
Për herë të parë, në vitin 2020, u bënë bashkë të gjitha partitë shqiptare të Luginës së Preshevës dhe garuan në një listë të vetme. Ishte hera e parë gjithashtu që u siguruan tri karrige nga shqiptarët në Parlamentin e Serbisë.
Në këto zgjedhje, ata garuan në listën me emrin “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Kjo listë siguroi 26,437 vota, ose 0.82% dhe që u përkthye në 3 mandate.









Komente
Komento