‘Arritje e madhe’ apo ‘mundësi e humbur’, çfarë tha opozita e Kosovës për planin evropian

‘Arritje e madhe’ apo ‘mundësi e humbur’, çfarë tha opozita e Kosovës për planin evropian

1677574642_KURTIKKK.png

Takimi i djeshëm ndërmjet Kurtit e Vuçiqit dhe në përgjethsi pranimi apo jo i planit të propozuar nga BE-ja, ka vënë në pah sërish dallimet ndërmjet opozitës në temat kryesore. Përderisa PDK-ja e LDK-ja kanë pasur kritika të ashpra për mungesën e njohjes nga Serbia dhe Asociacionin, AAK-ja e ka vlerësuar këtë plan si një arritje e madhe.

Qëndrimet e partive në opozitë lidhur me këtë plan janë shfaqur edhe në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, gjuha e tyre ka qenë dukshëm më e qartë mbrëmë. Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku drejtuan kritika të mëdha pasi Kurti konfirmoi pranimin e planit në parim, përderisa Ramush Haradinaj pati lëvdata.

Në një postim në rrjete sociale menjëherë pas përfundimit të takimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se Kurti e humbi mundësinë për të siguruar njohje nga Serbia.

“Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër. Krahas rritjes enorme të emigrimit si pasojë e keqqeverisjes, Kryeministri Kurti sonte tkurri edhe sovranitetin e shtetit tonë. Prandaj, 27 shkurti i vitit 2023, për Kosovën, me Kryeministër Albin Kurtin, shënon një mundësi të humbur për shtetin tonë që ta përmbyllë përgjithmonë konfliktin e ngrirë me Serbinë”, shkroi kryetari i PDK-së.

Me qëndrim të përafërt u paraqit edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai deklaroi se me planin e pranuar në parim mbrëmë, u pranua edhe Asociacioni, përderisa nuk ka njohje reciproke.

“Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve. Gjithçka përveç njohjes - ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët. Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake - përfshirë dhe Asociacionin - si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, ka shkruar Abdixhiku.

E një qëndrim krejt tjetër e prezantoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se pajtimi për ta pranuar planin evropian, është arritje e madhe.

“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe. Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja. Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes 'de jure' midis Kosovës dhe Serbisë!”, ka shkruar Haradinaj në rrjete sociale.

Kjo temë duket se ka ndarë sërish opozitën. Kritika të shumta ka pasur për partitë opozitare lidhur me dështimin që të jenë unik në tema të ndryshme, përballë pushtetit. Kjo vërehej edhe në iniciativa të ndryshme kur dërgonin ligje në Gjykatën Kushtetuese, duke u ankuar edhe ndaras./ Nacionale 


Lajmi kryesor:

Bisedimet Kurti-Vuçiç, Qeveria e Kosovës: Serbia nuk firmosi dje propozimin e ndërkombëtarëve! DASH: Thellimi i asociacionit, determinues


K.T./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase