Arroganca e Ramës dhe pafuqia e Bashës

Arroganca e Ramës dhe pafuqia e Bashës

Lulzim Basha dhe Edi Rama pas marreveshjes se 17 majit 2017

Fodullëku ka të bëjë me budallallëkun e atij që e shfaq. Arroganca ka të bëjë me pafuqinë e atyre që e rrethojnë arrogantin. Arroganti e ka të lindur prirjen për të qenë i tillë, por ndryshe nga fodulli, është aq i zgjuar sa të mos gafurret, kur ka përballë dikë po aq të fuqishëm sa vetja ose edhe më të fuqishëm se vetja.

Para marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit 2017, ky i fundit kishte pas drejtuar një fushatë elektorale ku, kandidatët e tij për kryebashkiakë kishin marrë 670 mijë vota. Ndërkohë, LSI-ja ishte një parti që kishte marrë 260 mijë vota, për këshilltarët e saj bashkiakë.

Në ato kushte, Rama nuk e kishte luksin të tregonte arrogancë, megjithëse prirjen për arrogancë e ka të lindur. Një koalicion parazgjedhor i PD-së me LSI-në, mund të rezultonte fatal për karrigen e tij (falë avantazhit që i jep sistemi elektoral shqiptar koalicioneve paraelektorale). Prandaj, Rama futi me zgjuarsi një pykë në mes të PD-së dhe të LSI-së, duke çuar Metën në Presidencë dhe duke i shkelur syrin Bashës, për një bashkëqeverisje të madhe pas zgjedhjeve.

Duke përhapur fjalë gjatë fushatës se, pas zgjedhjeve, do të krijohej një Große Koalition i PS-së me PD-në (sipas modelit gjerman), Rama kishte një synim perfid elektoral – mpirjen e elektoratit të djathtë. Fjalët e përhapura prej tij, përforcoheshin edhe nga futja në qeverinë parazgjedhore të gjashtë ministrave të propozuar nga PD-ja.

Nga ana tjetër, Basha nuk lëshoi ndonjë mesazh konsistent gjatë fushatës së qershorit 2017, përmes të cilit të mohonte vazhdimisht e në mënyrë kategorike, një koalicion të mundshëm paszgjedhor me Ramën. Ai, pasi la jashtë listës së kandidatëve disa politikanë e figura të djathta me peshë në elektorat, u fokusua te fushata e tij e qetë me premtime ekonomike, si dhe tek shigjetimet ndaj LSI-së dhe PDIU-së. Ndërkohë, Rama bridhte me çitjane nëpër Shqipëri, e fliste për timonin dhe tepsinë...

Nuk është bërë, deri më sot, ndonjë vrojtim statistikor rreth shkaqeve që sollën tkurrjen gjigante elektorale të PD-së, por korrelacioni i dukshëm mes rënies së pjesëmarrjes (me 150 mijë zgjedhës) dhe tkurrjes 220-mijëshe të votave të djathta, të bëjnë të mendosh se rrjedha e ngjarjeve nga 18 maji deri më 26 qershorin e vjetshëm, përbëjnë shkakun kryesor të saj. Gjë që i dha mundësinë PS-së të siguronte 74 mandate, megjithëse mori vetëm 95% të votave që kishin marrë më 2013-ën, të gjitha partitë e majta së bashku (përjashtuar LSI-në dhe PBDNJ-në).

Me 74 mandatet e PS-së, të përforcuara edhe me 4 mandatet e PDIU-së dhe PSD-së, Rama e ndjeu veten mjaftueshëm të fuqishëm, sa të rishfaqte arrogancën e tij karakteristike. Ai filloi të tregohej arrogant ndaj PD-së e LSI-së, si edhe ndaj të gjitha mediave (edhe ndaj atyre që kanë qenë zakonisht miqësore ndaj tij).

Duke qenë i fiksuar pas sondazheve, Rama patjetër ka pajtuar dikë për t'i zhvilluar sondazhe të përmuajshme. Dhe sondazhet e tij duhet të jenë goxha më të detajuara se sondazhet mujore që bëj unë, për një revistë që botohet këtu në anglisht.

Nga sondazhi i fundit që zhvillova këto ditë, për shembull, më rezultoi se vetëm 500 mijë banorë të rritur janë gati ta votojnë sot PD-në (për krahasim, PD-ja mori 600 mijë vota edhe në 1997-ën, kur nuk bënte dot fushatë në jug të Shkumbinit). Ndërkohë, në sondazhin tim, LSI-ja ishte në kuotën e 180 mijë votave. Pra, të dyja bashkë mund të shkojnë te 680 mijë votat - që nuk janë të mjaftueshme për të mundur koalicionin PS-PDIU-PSD...

Në një sondazh të disa muajve më parë rreth figurave politike kryesore, Basha më dilte 20 pikë poshtë Ramës dhe 13 pikë poshtë Berishës. Nuk e di se ç'rezultate ka Rama në sondazhet e tij, por besoj se duhet t'i ketë të ngjashme me të miat (sepse realiteti i matur nga sondazhet, është i njëjtë).

Me pak fjalë, për sa kohë të jetë i bindur se, partitë opozitare (dhe Basha në veçanti), kanë kuota të ulëta në opinionin publik, Rama do të vazhdojë të tallet me përgjimet dhe protestat e tyre. Nga "revolta popullore" e opozitës, ai nuk ka frikë, sepse e di që qeveria nuk i bie prej saj, për sa kohë kancelaritë perëndimore duan stabilitet në Shqipëri (ai e mban mend mirë precedentin e 1998-ës...).

Rama mund ta heqë kostumin e arrogantit, në qoftë se në krye të PD-së vjen një lidership i ri, që mund ta çojë atë parti të paktën në nivelin e 700 mijë votave. Përndryshe, ai mund të heqë dorë nga arroganca, vetëm nëse bën vaki që t'i plasë ndonjë bombë nga jashtë. Siç i plasi Tahirit nga përgjimet e prokurorisë së Katanias, ose siç i plasi Gruevskit nga përgjimet e shërbimeve sekrete perëndimore...AFP

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Fotoja e papublikuar më parë, zbulohet një fis i ri njerëzish në pyjet e Amazonës

Fotoja e papublikuar më parë, zbulohet një fis i ri njerëzish në pyjet e Amazonës