Arroganca si veprim

Arroganca si veprim
Edi Ramën e pret një pushtet i vështirë. Nën administrimin e tij do të bjerë një vend i lodhur, me shumë borxhe, me papunësi, me njerëz që s’i binden ligjit, e me ligjzbatues që favorizojnë njerëzit që s’i binden ligjit. Në këtë përballje Ramës do t’i duhet shumë arroganca. Mund të duket një shprehje për të rrudhur buzët, por në këtë kaos shqiptar vetëm një njeri arrogant me pushtet në dorë mund të verë rregull.

Rregull nga kaosi. Eshtë një ndërrmarrje titanike. Në Shqipëri asgjë nuk është në vendin e vet dhe të tjerët, ata që do të zëvendësojë Rama dhe të tijtë, janë përpjekur që ta shumëfishojnë këtë. Vetëm pasi u mor vesh se zgjedhjet u humbën në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë nisën ndërtime pa leje. Secila prej tyre kërkon arrogancë (edhe forca e ligjit me uniformë është një formë e arrogancës), sepse për çdo ndërtim pa leje egziston mundësia e një përplasjeje.

Dhe janë mijëra të tillë. Dhe mund të jenë akoma më shumë ndërtime që “pabesisht” kanë marrë leje, por që sërish duhen prishur. Prej vitesh shqiptarët vuajnë nga drejtësia që zhbën drejtësinë. Në poste kyçe ku mund të kryehen reforma të thella të këtij segmenti të shtetit kaq të gangrenizuar nga korrupsioni, mund të ketë njerëz që vetëm me arrogancën e numrave mund të largohen.

Që vendit t’i jepet për herë të parë që kur Shqipëria u bë shtet, një sistem drejtësie ku jo gjithçka të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjeve të pista. Krimi ka ngritur kokën e është duke masakruar të rinj, gra e burra. Duhet arrogancë, madje e ashpër e uniformave shqiptare, madje edhe duhet kopjuar ndonjë shtet modern për forca të tjera speciale. Një vend kaq i vogël nuk mund të mbajë mbi shpinë krime kaq të mëdha e të përditshme.

Edi Rama dhe të majtët kanë edhe një tjetër betejë, të ashpër. Përballjen me opozitën. Nuk do të jetë aq e lehtë, megjithëse kanë mbi 80 deputetë në Kuvend. Përballë nuk do të kenë Lulzim Bashën, të butë e të qeshur, por Sali Berishën, të dorëhequr nga kryetar i PD-së, por që është sërish lider i saj. Dhe beteja e Berishës mund të jetë shumë e pakët në Kuvend.

Ai nuk do të pranojë për asnjë moment të ikë nga skena politike me një humbje shkatërruese për emrin e tij dhe nëse PD nuk do të çahet pas zgjedhjeve farsë brenda saj, atëherë ata do të jenë sërish njësh kundër Ramës. Do të ndryshojnë vetëm pozicionet. Nëse Rama në 1 prill u bashkua për t’i dhënë fund Berishës, strategjia do të jetë e njëjtë dhe për këtë të fundit; të jemi të bashkuar kundër Ramës. Dhe sërish këtu do t’i hyjë në punë arroganca. Rama nuk do të ketë më pas vetes një milionë shqiptarë që i dhanë votën, por duhet të shtrëngojë fort dhe të përdorë arrogancën që i dhanë në dorë këto vota.

Eshtë e vërtetë se pushteti i Ramës dhe i Metës në këto momente duket i frikshëm. Dhe realisht është. Por shqiptarët nuk ua dhanë këtë pushtet në dorë që ata të shpërndajnë frikë mbi ta, por t’u heqin frikën. Frikën për të ardhmen. Dhe këtë frikë mund t’ua largojnë edhe duke u sjellë arrogantë. Me ata që bëjnë arrogantin mbi njerëzit e dobët. Ky realisht duhet të jetë shteti normal, ai që mbron të dobëtit nga më i forti. Një shtet të tillë që Shqipëria nuk e ka pasur ndonjëherë.

Rama është nga natyra arrogant. Dozat e saj mund të jenë shtuar gjatë rrugës dhe do të kenë arritur kulmin pas 23 qershorit kur ai e pa veten gati të pathyeshëm dhe të paprekshëm, aq sa nisi takimet si kryeministër ende pa u mandatuar. (Por këtë entuziasëm rinor shqiptarët mund t’ia falin). Shqiptarëve nga shtatori e pas u duhet arroganca e tij. Ata e mandatuan për të qenë “ligjërisht’ arrogant.

I dhanë në dorë fuqinë që vetëm Berisha në 1992 e ka pasur. Dhe presin që këtë arrogancë ai ta përdorë për të pasur një shtet që funksionon.  Një shtet arrogant, por kundër pakicës “së të fortëve” që kanë mbizotëruar këto 23 vjet në Shqipëri. Për të sjellë më në fund, rregullin nga kaosi. Kjo është në dorë të Ramës. Nëse Rama e mendon ndryshe...asgjë. Një tjetër dështim për shpresën e shqiptarëve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë