Autoriteti Rrugor Shqiptar do të shpenzojë 46 milionë euro për mirëmbajtjen e 1,300 kilometra rrugë deri në vitin 2030.
Në katër tenderë të shpallur këtë të premte, ftohen kompanitë të marrin pjesë në garë deri më 11 qershor, ndërsa specifikohet se rajoni më i kushtueshëm në mirëmbajtje është ai juglindor.
Reshjet e fillimvitit bllokuan për disa ditë udhëtimet drejt juglindjes së vendit për shkak të shembjes së rrugës Librazhd-Pogradec, ndërkohë që edhe disa akse të tjera u dëmtuan, siç ishin pjesë të caktuara të rrugës Qukës-Qafë Plloçë.
Për të mirëmbajtur skarpatet e rrugëve, riparuar asfaltin apo dëmtime në strukturën e akseve, për të zhbllokuar kanale e për t’i pastruar ato nga dëbora do të shpenzohen për 4 vite afro 46.7 milionë euro.
Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli këtë të premte 4 gara për të realizuar mirëmbajtjen e 1.313 kilometrave rrugë në 4 rajone të vendit. Tenderat janë me fond limit 46.7 milionë euro, ndërsa kompanitë kanë të drejtë të marrin pjesë në garë deri më 11 qershor të këtij viti.
Loti më i kushtueshëm është ai i Juglindjes që ka pasur edhe më shumë probleme muajt e fundit. Loti i tretë që përfshin akset kryesore të Rajonit Qendror dhe Juglindor” ka vlerë 14.3 milionë euro, dhe ka të planifikuar mirëmbajtjen e 22 segmenteve me gjatësi totale prej 403.1 kilometra. Brenda kësaj kontrate është mirëmbajtja e segmenteve të korridorit 8, por edhe akse të tjera të rëndësishme të këtij rajoni, si TEG-Kërrabë, Lushnje-ByPass Fier, apo Lushnje- Berat.
Më pas është loti i 4 me vlerë 12.4 milionë euro që parashikon mirëmbajtjen e 374.1 kilometrave rrugë në 11 segmente kryesore të Rajonit Jugor si Tepelenë-Gjirokastër, Orikum-Borsh, Levan-Tepelenë apo Levan Vlorë.
Për nga vlera më pas vjen loti i dytë që përfshin mirëmbajtjen e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Verilindor me vlerë 11.5 milionë euro, nga Fushë Kruja në Thumanë, deri te Mbikalimi i Casa Italia, për të vijuar nga Kashari në Durrës, e më tej disa akse në Peshkopi. Në total në këtë lot përfshihet mirëmbajtje dimërore në 294.1 kilometra.
Ndërsa loti i parë parashikon mirëmbajtjen e 242.2 km rrugë të rajonit Verior me vlerë 8.5 milionë euro. Në këtë tender përfshihet mirëmbajtja dimërore e 14 segmenteve, nga Nyja Milot-Lezhë, Bypass i Shkodrës, e deri tek Ura e Bunës-Muriqan.
Komente










