Në kohën kur të gjitha shenjat tregojnë se Shtetet e Bashkuara dhe një grup aleatësh janë të gatshëm për veprime ndëshkuese ndaj Sirisë është e natyrshme të shtrohet dhe pyetja: si do të përgjigjet regjimi i Bashar al Assad-it? Deri në ç`pikë do të mund të mbrojë veten nga sulmet e planifikuara kundër tij? Çfarë masash mund të ndërmarrë për shpagim?

Skenaret e deritanishëm lenë të kuptohet se mësymja e Shteteve të Bashkuara, Britanisë e ndoshta dhe Francës, do të përfshijë raketa me rreze të gjatë veprimi 'Tomahawk' të lëshuara nga luftanije apo nëndetëse. Avionë bombardues mund të përdoren gjithashtu, por do të perdorin për çdo rast armë që godasin nga jashtë hapësirës ajrore siriane. Kjo do t`ia vështirësonte shumë regjimit përdorimin e mbrojtjes anti-ajrore. E vlerësuar si me kapacitet të lartë, mbrojtja siriane bazohet më së shumti tek sistemet e hershme sovjetike të tipit S-200/SA-5 Gammon, bashkë me disa armë ruse të blera tani vonë, si raketat kundërajrore SA-22 dhe SA-17.

Damasku ka në zotërim edhe një seri sistemesh të sofistikuara radarësh të blerë nga Kina. Por kapacitet e tij mbrojtëse edhe mund të kenë pësuar demtime për shkak të humbjes së territorit dhe disa zonave ku janë vendosur radarë, të cilat aktualisht gjenden në duart e rebelëve. Edhe në qoftë kështu, mbrojtja ajrore siriane mbetet e fortë. Kjo është një nga arsyet përse diskutimet e armëve që do të përdoren janë më së shumti të përqendruara tek raketat Kruiz.

Ashtu si nga ajri, Siria do të përpiqet të zbrapsë edhe forcat detare të Perëndimit duke përdorur arsenalin e saj off-shore, i mbështetur kryesisht tek raketat anti-anije. Sërish në sajë të Rusisë, ajo zotëron raketat supersonike Yakhont, që në radhët e NATO-s njihen si SS-N-26. Nga ana tjetër, Damasku mund të kërkojë ndihmën e grupeve si Hezbollahu për të ndërmarrë jashtë kufijve sulme kundër interesave amerikane dhe atyre perëndimore në përgjithësi.