Lufta e Parë Botërore filloi më 28 korrik 1914 dhe zgjati deri më 11 nëntor 1918. Konflikti i parë i madh botëror i shekullit XX, "Lufta e Madhe", që mobilizoi 70 milionë ushtarë nga të gjitha kontinentet, shkaktoi vdekjen e 10 milionë personave dhe 20 milionë të plagosurve mes luftëtarëve, me miliona të vdekur civilë dhe rënien e katër perandorive (ruse, austro-hungareze, gjermane dhe otomane).

Por, cilat janë arsyet kryesore të Luftës së Parë Botërore, imazhe që vijnë nga e kaluara si një vetëvrasje e Europës për shkak të fuqisë së saj?

Këtë gjë e shpjegojnë historiani gjerman dhe profesor në Universitetin e Duseldorfit, Gerd Krumeich dhe irlandezi John Horne, profesor i "Trinity College of Dublin".

Gerd Krumeich :
"Pa asnjë dyshim që janë rivalitetet e krijuara nga imperializmi i kombeve evropiane që janë në origjinë të konfliktit.

Në fillim të shekullit, ato konsideronin se krijimi i perandorisë është i nevojshëm për zhvillimin e tyre, për mbijetesën në një botë që drejtohej nga industrializimi dhe konkurenca ndërkombëtare.
Ekuilibrat evropianë do të prishen nga vullneti i Gjermanisë, që u bë fuqia e parë industriale në Evropë, për të pasur një perandori koloniale të përshtatshme me dinamizmin e vet.

Gjermania veproi me shumë agresivitet kundrejt fuqive të tjera, ajo filloi një garë armatimi detar që e shqetësoi Britaninë e Madhe, u përball me Francën për disa territore afrikane dhe ndihmoi Turqinë otomane, rivale kryesore e Rusisë, që të modernizonte ushtrinë.

Këto përpjekje kundërshtoheshin nga fuqitë e tjera dhe Gjermania ndihej e frustruar.

Ajo ndihet e rrethuar nga anglezët, francezët dhe rusët, të cilët gjithashtu ndihen të kërcënuar nga ambiciet gjermane, çka çoi në krijimin e koalicionit kundër Berlinit.
Kjo do të sillte një garë armatimesh të përshpejtuar në vitet 1912 dhe 1913, e shoqëruar me shpërthimin e nacionalizmave në Gjermani dhe Francë.

Në Berlin, ushtarakët gjermanë e shihnin luftën shumë pranë, dhe mendonin se mund ta fitonin vetëm nëse ajo fillonte sa më herët, përpara se Rusia të arrinte përforcimin ushtarak që kishte ndërmarrë.
Kjo shpjegon edhe rolin kryesor të Gjermanisë në fillimin e luftës."

John Horne :
"Që prej disa dekadash, një rivalitet ideologjik kundërvë parimet e dinastive dhe ato multietnike të perandorive të Evropës Lindore me nacionalizmat, të mëshiruara në shtet-kombet perëndimore dhe të bazuara në parimin e sovranitetit popullor.

Nacionalizmat që u krijuan në Ballkan dhe në Evropën Lindore kryesisht kërcënonin Austro-Hungarinë.

Për më tepër, ekuilibrat evropianë u ndryshuan ndjeshëm me bashkimin e Gjermanisë në vitin 1871, që i mundësoi të shndërrohej në një fuqi të madhe ndërkohë që Franca po dobësohej.
Rivaliteti kolonial dhe ekonomik u acaruan nga tensione që i kishin rrënjët shumë të thella.

Filloi të vendoset një ekuilibër mes dy kampesh ushtarake, dhe e rregulluar nga një organizim i përbashkët mes fuqive të mëdha për të evituar që krizat rajonale t'i vinin zjarrin kontinentit.
Madje ky organizim do të funksiononte edhe gjatë Luftërave Ballkanike 1912-13, por në korrik të 1914 brava e sigurisë nuk mbajti më.
Nëse përgjegjësit do ta kishin kuptuar natyrën e kësaj lufte, me siguri që nuk do të përfshiheshin në të në mënyrë kaq të pakujdesur.
Por ata e konsideruan luftën si një mundësi racionale, në parim normalisht, por nuk menduan se do të ndryshonte natyrën e botës në të cilën jetonin."/ATSH/