Pas takimit që pati në Sarandë ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me problematikën e ndërtimeve pa leje dhe zaptimit të hapësirave publike, që çuan edhe në arrestimin e shefit të komisariatit, është larguar ndërkohë nga detyra edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të IKMT-së Vlorë, Elton Caslli.

Ky i fundit mësohet se ka dhënë dorëheqjen pas fillimit të procedurës për marrjen e masave administrative nga IKMT qendrore si shkak i mos ushtrimit të detyrave funksionale me pasoja në territor.

Gjithashtu, mësohet se është inicuar procedura disiplinore edhe për Përgjegjësin e Sektorit të Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale të Vlorës, Xhovalin Hoxhaj.

Gjatë takimit në Sarandë, ministri Lamallari ishte i ashpër dhe bëri apel të qartë për strukturat e Policisë së Shtetit, IKMT dhe IMT sa i përket zbatimit të ligjit, sidomos për ndërtimet pa leje.

"Dilni për Zot përgjegjësisë, që ju është dhënë. Ne nuk mund të lejojmë të cënohet diçka që është më e madhe. Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë dhe përgjegjësi për çdo mosveprim institucional. Ndërtimet pa leje, zaptimi i hapësirave publike apo abuzimet në kurriz të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, janë një vijë e kuqe", tha ministri Lamallari gjatë fjalës së tij.

Lajmi në përditësim...