Njihet edhe si qytet i humorit dhe shpirtit të lirë e të qeshur, ndaj titulli “Shkodra ka plot dashuri” i shkon më së miri varietesë së humorit në qytetin verior.
Nën regjinë e Zehrudin Dokles, shfaqja bëri bashkë Mjeshtret e Mëdha Zyliha Miloti e Drande Xhaj bashkë me talentet e reja.
Mbrëmja solli humor të hollë me ngacmime nga e përditshmja, por për regjisorin Dokle nuk munguan sfidat, pasi dy nga emrat kryesorë – mjeshtrit Besnik Çinari dhe Agron Dizdari – munguan për arsye shëndetësore.
"Shkodra të jep dashuri siç është edhe titulli i shfaqjes. Kemi një kombinim të bukur mes brezit të artë, siç janë Zyliha Miloti e Drande Xhaj, dhe artistëve të rinj. Kemi besim që kjo traditë e madhe e humorit do të vazhdojë", tha Zehrudin Dokle, regjisor.
Lidhja mes brezit të artë dhe aktorëve të rinj krijoi një frymëmarrje të ngrohtë për spektatorin shkodran, që e priti shfaqjen me sallë të mbushur plot.
“Është sadisfaksion shumë i madh edhe mbas kaq vitesh eksperiencë. Pritja e publikut dhe emocioni ishin të jashtëzakonshme. Kemi punuar me djem e vajza të reja shumë të talentuar dhe suksesi u pa në sallë", tha Drande Xhaj.
“Nuk është e lehtë për ne të rinjtë të bëjmë humor në Shkodër, sepse brezi i artë e ka ngritur traun shumë lart. Por mbështetja e tyre na jep zemër për të ecur përpara”, tha Ketlin Pjalmi, aktore.
Varieteja “Shkodra ka plot dashuri” do të vijojë të ngjitet në skenën e Teatrit “Migjeni” për pesë mbrëmje me radhë, duke ftuar publikun në një festë të vërtetë të artit dhe humorit shkodran.









Komente
Komento