Aktori i njohur, Artan Imami, i ka drejtuar një letër të hapur analistit Fatos Lubonja lidhur me debatin për Teatrin Kombëtar. Letra është publikuar nga aktori në faqen e tij në Facebook, dhe vjen pas një shkrimi të Lubonjës i cili thoshte se Imami nuk ka qenë kurrë aktor, por vetëm “zë”.

Ndër të tjera Lubonja shkruante:

Për sekserin, nuk ishte e vështirë të kandiste aktorët që s’kanë qenë kurrë aktorë, por “vetëm zë”, siç e quante dikur Edi Rama Artan Imamin, të cilët, për fat të keq, nuk ishin pak. Por një pjesë aktorësh po bërtisnin fort kundër, duke përdorur edhe emrin e tyre publik. Gjithsesi, sekseri Veliaj i luajti të gjithë gurët derisa arriti ta mbyllë pazarin edhe me ta (ndonëse ca aktorë thonë se nuk është mbyllur).”

Në përgjigjen e tij, Imami shkruan se personazhe si Lubonja e bëjnë pis letrën kur shkruajnë. Imami tregon njohjen e tij me Lubonjën, ku rendit disa nga momentet ku sipas tij, Lubonja ka vazhduar të cënojë të tjerë njerëz, si shkrimtarin Kadare, kryeministrin Rama, Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti.

Se këtë mirë që duhet ta durojmë çdo natë në TV, por ky të zë pusi edhe që në mëngjes në gazetë.

Ky tipi, pasi mbaroi punë dhe asgjësoi totalisht Ismail Kadarenë si shkrimtar dhe jo vetëm, pasi arriti qëllimin ta bënte Skënderbeun një njeri të dyshimtë se e kishte nënën serbe, pasi i dha mend gjithë botës, megjithëse bota hiç nuk e pordhi, pasi bëri copë Ed Ramën dhe oligarkët, gjeti kohë të na nderonte me sharashkrimet e tij edhe neve aktorëve, që s’kemi qenë kurrë aktorë, sipas tij.

Duke filluar nga unë. Unë kam pasur fatkeqësinë ta njoh këtë tipin pothuajse sa doli nga burgu, e i prezantuar si ish-i burgosur politik e humanist i madh, siç tashmë e di gjithë bota (Edi Rama nga të parët).

E pasi e filloi jetën në liri, nisi të vërë në provë durimin tonë, që nga ajo ditë e 28 vite në vazhdim, vetëm se kishte bërë 17 vjet burg. Burgun, me thënë të drejtën, e pësoi nga i ati (apo i ati nga ai?!), megjithëse pak më vonë sistemi zbuloi që i biri na paskësh qenë një kundërshtar i madh.

E pastaj historia vazhdon, Fatosin më në fund e dënuan për ca biseda kundër regjimit, më saktë biseda me çerek nënkuptimesh kundër regjimit, të bëra me të atin, me zë të ulët brenda shtëpisë.

Ah, se desh harrova, edhe në bazë të ca ditarëve mbushur me delire gjysmë erotike të një adoleshenti. Tani na duhet ta durojmë çdo natë në TV, në të cilat shkon e dërdëllit për gjithçka si gjitholog që është (edhe këtë Edi Rama ia ka thënë i pari).

Në fakt, ai gjithmonë flet në fund, sepse mundohet të përmbledhë mendimet e të tjerëve, por po e ndërpreu njeri, e humbet fillin, dhe kjo është normale se nuk janë mendimet e tij.

Pastaj, pasi merr rrogën e natës (se mos kujton njeri se shkon gratis aty), fillon e shkruan, bile njëherë tentoi edhe një roman, a një libër kujtimesh, nuk më kujtohet, të cilin ia bleva për mëshirë dhe direkt ia fala një shitësi librash të vjetër, që i shesin për disa qindarka në trotuar.

Kam 10 vjet që atë libër e shoh akoma aty. E këtij tipi që më kujton sa herë e shoh personazhin e famshëm të nëntoger Dubit, përshkruar nga Hasheku si mistrec e gjysmë pordhac, shkurtë e qartë po i them: “Ik o Fatos, merru me veten…!

Artan Imami, aktor