TIRANE- Kalimi i pronësisë të tokës te individët që kanë blerë ndërtesë në fshatrat turistikë do të bëhet me çmimin e tregut. Ndërkohë ALUIZNi duket se ka hasur në probleme mbi dokumentacionin e lejes së dhënë, për shkak se pas kalimit të 10 viteve nga miratimi ato arkivohen. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, kreu i ALUIZNI-t Artan Lame flet mbi hapat që do ndiqen.

Z. Lame jeni shprehur se keni pamundësinë fizike përsa i përket dokumentacionit për shkak se ato ndodhen në tunelin e Beratit, si funksionon kjo procedurë dhe si do të veprohet për sigurimin e këtyre informacioneve që janë të domosdoshme për vazhdimsinë e procesit?
Pas çdo dhjetë vjeçari sipas ligjit të arkivave, dokumentat e çdo institucioni shkojnë në arkivën e shtetit dhe çdo dokumentacion  që ka të bëj me KZHT (Këshillin e Zhvillimit të Turizmit) që jep lejet e fshatrave turistike, personave të stimuluar dhe titujve të caktuar kalojnë në arkivën e shtetit. Në rastin në fjalë bëhet fjalë për dosje që i përkasin periudhës 1994-2004 dhe që kanë plotësuar afatet kohore, duke u arkivuar në arkivën e shtetit. Kështu ne s’kemi mundësinë as ti konsultojmë dot këto dokumeta, pasi arkivi i shteti ka rregullat e veta.

Si do të veprojë institucioni juaj për sigurimin e këtyre informacioneve që janë përcaktuese për detajet që përmbajnë?
Ne informacione që na duhen po i sigurojmë nëpërmjet rrugëve të tërthorta. Duhet të sqarojmë se këto probleme janë të zvarritura prej 20 vitesh, deri në momentin që erdhi koha që përfunduan në arkivën e shtetit dhe praktikisht në momentin që flasim është e pamundur që të marrësh një informacion real për titujt që janë dhënë.

Do të ketë ulje të çmimit të truallit brenda zonës së stimuluar apo pagesa do të jetë e plotë sipas metodikës së përshkruar në nenin 8 të ligjit?
Nuk do të ketë ulje të çmimit, por pagesa do të bëhet sipas metodikës sa të dali çmimi. Duhet të kuptojmë që ky i fshatrave turistikë nuk është proces legalizimi por shitje e truallit të njësive, pra qytetarëve që i kanë blerë.

Cilat janë kategoritë që nuk i përfshinte ligji i mëparshëm të cilat do të kenë përparësi dhe do përfshihen në ligjin e ri?
Janë të gjitha fshatrat turistike dhe objektet në këto fshatra turistike. Por, krahas fshatrave turistike janë edhe pallatet të cilat kanë marrë lejen e ndërtimit, por nuk kanë lidhur marrëveshje qiraje me ministrinë. Të gjitha këto janë problem të mbartura të viteve 2000-2005. Pra, personat që i kanë shtëpitë nuk mund të hipotekojnë shtëpinë, megjithëse e kanë me leje ndërtimi për shkak se trualli në të cilin është ndërtuar nuk është i tyri. 

Cili është rreziku që i kanoset zonave turistike, pasi ju keni dhënë alarmin se duhet bërë ndërhyrje me ligj për të mos lejuar shkatërrimin e tyre njësoj si në zonën e Shkëmbit të Kavajës?
Në fshatrat turistike ka akoma hapësira të lira dhe të gjelbërta. Në qoftë se aty do të vazhdohen të jepen leje ato do kthehen në gjendjen në të cilën është sot Shkëmbi i Kavajës. E gjithë përpjekja që po bëjmë është që të gjejmë një mënyrë të tillë që në këto zona dhe fshatra turistike të mos vazhdojnë më ndërtimet, por të bllokohen dhe të mbyllet përfundimisht dhënia e lejeve të ndërtimit në këto zona. Me këtë nuk bëhet fjalë të përfitojë pronari që ka blerë fshatin turistik, bëhet fjalë për qytetarët që kanë blerë shtëpitë, pasi pronari që i ka ndërtuar ato ka ikur.

Është një zgjidhje më e mirë bashkëpronësia se sa vendosja me ligj për ndarjen e hapësirave në këto zona ?
Propozimi dhe ajo që mendojmë ne është që të kalojë në bashkëpronësi të të gjithë qytetarëve, sepse kjo e bën të pamundur ndërtimin në këto zona. Ata që janë natyrisht që nuk duan të ndërtojnë më, sepse kanë blerë shtëpitë në atë zonë. Ndërkohë që po t’i lësh të lira si zona dhe po të thuash që ato janë në pronësi të shtetit, mirë sot që ka njerëz të përgjegjshëm, por në të ardhmen mund të vijë dikush tjetër që thotë do t’i jap këto zona për ndërtim dhe e shkatërron edhe atë hapësirë që ende është e lirë.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)