Artan Shabani Ja pse do
të bëjmë diferencën

Artan Shabani Ja pse do<br />të bëjmë diferencën
TIRANE- Janë shpallur dje pas mbledhjes së qeverisë dy drejtorët e institucioneve të rëndësishme kulturore; Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Galerisë Kombëtare të Arteve. Piktori Artan Shabani është emëruar drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, duke zëvendësuar Rubens Shimën, ndërsa koreografi Ilir Kerni është shpallur drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit duke zëvendësuar Zhani Cikon. Drejtorët u zgjodhën pas një konkursi të shpallur nga Ministria e Kulturës, pas shkarkimit të Shimës dhe Cikos, ku konkurrentët i mbyllën aplikimet në datën 18 tetor. Të dy drejtuesit e rinj të institucioneve përkatëse janë artistë që e kanë përmbushur karrierën e tyre prej 20 vjetësh jashtë Shqipërisë.

Artan Shabani ka lindur më 1968-n në Vlorë dhe ka zhvilluar një karrierë të pasur ndërkombëtare, ku prej 20 vjetësh ka banuar me familjen e tij në Itali. Tashmë ai kthehet bashkë me familjen në atdhe në një detyrë të rëndësishme.
Ilir Kerni ka lindur në Tiranë më 1959. Ai e nisi karrierën e tij si balerin i parë në skenën e Tetarit të Operës dhe Baletit në Tiranë, por për më shumë se 20 vjet e zhvilloi jashtë Shqipërisë. Nga 2005-a e këtej Kerni ka qenë koreograf në Operën e Zagrebit. Ndërsa duam të dimë vizionin që kanë si drejtues në intervistat e mëposhtme, hasim në një konkluzion të përbashkët: pasi i kanë dhënë mjaftueshëm famë artit shqiptar jashtë Shqipërisë, tashmë duhet të rregullojnë gjërat “në shtëpinë e tyre”.
 
Urime Artan, sapo jeni emëruar drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, përgjegjësi e madhe, apo jo?
-Po, por unë do të jap maksimumin tim për institucionin. Galeria Kombëtare është një pike ku kulmon kultura vizuale. Mendoj që ky institucion do rivitalizoje në sensin pozitiv artin dhe veçanërisht artistët e rinj. Në këto raste thuhet, të fitojë më i miri dhe më i miri është gjithmonë ai që dashuron punën dhe pasionin e tij, është ai që jep rezultatin më të mirë të mundshëm.
 
Ju jeni një emër i njohur jashtë kufijve të Shqipërisë. A mund të na thoni sesi ka vijuar karriera juaj në Itali vitet e fundit?
-Vitet e fundit Italia ka qenë më një periudhë jo të lehtë ekonomike dhe kjo është shumë flagrante. Personalisht kam punuar në pjesën veriore të Italisë si në Torino, Venecia, por edhe jashtë këtij territori si Nju Jork, Londër apo Gjenevë. Karriera është ndërtuar në bazë të punës dhe çdo ditë ka gjëra për të mësuar dhe me mendje të hapur dhe me thjeshtësi jam munduar të jem i azhurnuar në sistemin e artit.
 
Sigurisht, ju prej 20 vjetësh jeni mësuar të punoni në klimën e standardeve evropiane, mendoni se do të përshtateni lehtë më mjedisin shqiptar?
-Shqipëria është vendi ynë dhe ky vend do ndryshojë nga njerëzit dhe ata jemi të gjithë ne. Unë tashmë jam kthyer në Shqipëri dhe jam shumë i qartë se çfarë dua të bëj dhe të jap në këtë vend të mrekullueshëm. Ne jemi me fat që i përkasim një vendi me temperament, me problematika të cilat të bëjnë të ndihesh i gjallë dhe ku secili të ketë diçka për të thënë. Kriza mendoj që është shpirtërore, morale dhe kulturore. Kriza e vërtetë është e vetmja dhe mungesa në marrëdhënie me njerëzit dhe me shoqërinë në tërësi. Kriza ekonomike nuk është asgjë, ajo superohet dhe me këtë rini vitale që kemi do bëjmë një vend normal dhe mbas normalitetit do bëjmë një vend atraktiv për të krijuar komunikim me botën. Kjo vjen nga kultura, turizmi, gastronomia, energjia njerëzore, etj,,
 
Jemi kurioz të dimë për veprimtarinë tuaj gjatë vitit 2013, përveç kurimit të ekspozitës Live Art, si u përfshitë në fushatën e Rilindjes?
-Live Art mendoj se është një ogur i mirë për Galerinë Kombëtare, sepse duhet krijuar tashmë një sistem i artit shqiptar dhe të kanalizohet energjia midis artistëve. Ardhmëria e pikturës shqiptare për momentin nuk është në interes ndërkombëtar, pasi ajo është testuar vite me parë me artistët që sot janë super star si Anri Sala, Sisley Xhafa, Adrian Paci dhe së fundmi me Driant Zenelin, Helidon Gjergjin, Fani Zguron, etj. Ndaj duhet të bëhet më shumë brenda vendit. Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes, mund t’ju them se Rilindja është brenda çdo njeriut që kërkon të ndryshojë stanjacionin dhe mbi të gjitha mentalitetin opak.

Për të dhënë një përgjigje kuriozitetit, unë do të thosha që në 2013-n kam marrë pjesë me evente dhe ekspozita në Athinë, Nju Jork, Torino, Vlorë, Milano,etj. Për herë të parë marr pjesë me të gjithë sentimentin tim për një rilindje të vlerave, të kulturës, të imazhit kombëtar. Unë dhe të gjithë artistët duam që një ditë të dimë t’iu përgjigjemi fëmijëve tanë për çka bëmë për këtë vend, për vlerat morale, etike, kulturore dhe kjo kërkon punë serioze. Unë e kam menduar dhe e mendoj që kryeministri Rama është një njeri i rrallë dhe me vlera qytetarie, të cilat spikasin çdo ditë në imazhin që po prezanton në arenën ndërkombëtare. Imazhi është baza për të ndërtuar një shtet solid dhe një ekonomi, e cila do garantojë qetësinë dhe normalitetin. Personalisht e ndiej që ndryshimi ka filluar, edhe në detaje, të cilat në aparencë janë jo muskulore, por bëjnë diferencën, stili është ai që ndryshon dhe rezultatet do ndodhin dukshëm.
 
Shkrimi u publikua sot (26.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie