Artan Shabani: Nuk duhet të
harrojmë bij të kujt jemi

Artan Shabani: Nuk duhet të<br />harrojmë bij të kujt jemi
TIRANE- Edhe pse është një stinë e nxehtë, Galeria Kombëtare e Arteve ndryshe nga institucionet e tjera kulturore, por edhe nga traditat e viteve të mëparshme, do të vijoj aktivitetet gjatë stinës së verës. Në një intervistë për emisionin e mëngjesit "Rreze Dielli", në A1 Report, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, u shpreh se ky institucion kulturor nuk do t’i mbyll dyert për pushimet verore, pasi GKA nuk ka pushime. “Atë që ne e quajmë turizëm kulturor, do ta lidhim edhe me institucionet kulturore, siç është Galeria Kombëtare e Arteve, e cila nuk duhet të mbyllet pasi do të mirëpresë vizitorët”, u shpreh Shabani.

Në aktivitetet e ngjeshura të Galerisë Kombëtare të Arteve, sallat e këtij institucioni kulturor do të jenë të hapura, duke nisur që nga ato të realizmit socialist deri tek ekspozitat më të fundit, ku gjatë muajit gusht do të vijojnë dy ekspozita të rëndësishme. Sipas drejtorit të Galerisë, Artan Shabani, në muajin gusht do të ekspozohet një instalacion me kolazhe, si dhe do të jetë i ftuar për të prezantuar videoinstalacionin e tij një ndër artistët më të mirë shqiptarë, i cili do të vij nga Nju Jorku, Helidon Gjergji.

Për drejtorin e GKA-së, vijimi i ekspozitave është një linjë e re e krijuar me profesionistë, ku skulptura dhe piktura kanë një rëndësi të veçantë. Ndërkohë, në Galerinë Kombëtare vizitorët e këtij sezoni turistik kanë shumë kureshtje edhe për sallat ku ekspozohet tradita e pikturës shqiptare. Ka edhe nga ata që duan të dinë se çfarë ofron gjatë verës ky institucion.

Jemi në sallën e Realizmit Socialist. Jo më kot keni vendosur që ta rizgjoni këtë sallë ekspozimi?
Ideja është që në çdo katër vjet çdo vijë muzeale është mirë të rifreskohet. Kjo do të thotë që publiku, i cili e ka edukatë që të jetë prezent në salla kulturore, ashtu si dhe në GKA nuk mund të shoh të njëjtën pikturë me të njëjtën biletë. Kështu që në respekt të publikut dhe fondit muzeal me 5000 vepra të mund t’i rifreskojmë ekspozimet. 

Mbi çfarë bazash ndodh ky rifreskim mbi bazë pikturash apo emra piktorësh?
Nuk mund të punojmë mbi bazën e një simpatie. Baza ndërtohet sipas periudhave. Ne manifestojmë kohën që jetojmë, shqetësimet sociale dhe kënaqësitë e një individi apo shoqërie. Kemi dhe vitet e kalimit nga periudha para viteve `90 dhe pas `90-s. Njeriu ka nevojë të njoh veten në një proces të ri dhe në një moment të ri. Ose duhet parë nga këndvështrimi tematik ose nga vështrimi historik, por për të bërë një punë serioze duhen një grup njerëzish që janë profesionistë. Këto kanë dhe një kosto në buxhet sepse jo të gjithë mund të punojnë vullnetarisht. Ne do ta ndërtojmë këtë grup dhe këtë linjë të re.

Cilat janë ato pika të projekteve tuaja me të cilat do të vijoj GKA përveç fondit që përmendët. Cili është kalendari dhe projektet e sezonit të ri të institucionit të GKA?
Kur ne flasim për sezonin e pushimeve kjo është një gjë që është jashtë mentalitetit, mundësive, imagjinatës dhe kohës sime. Pushimet i kam të reduktuara. GKA nuk ka pushim. Ajo që ne e quajmë turizëm kulturor ka të bëjë edhe me këto institucione, siç është Galeria e Arteve që nuk duhet të mbyllet. GKA në këtë moment ka dy ekspozita. E para është ekspozita e Gazmend Lekës që po ndiqet me një intensitet dhe kuriozitet të konsiderueshëm. Kemi dhe ekspozitën e dy artistëve finlandezë. Menjëherë pas këtyre do të kalojmë në muajin gusht ku do të jetë një instalacion me kolazhe. Më pas do të kemi një artist shumë të mirë shqiptar që jeton në Nju Jork, Helidon Gjergji, i cili do të prezantohet me një instalacion video. 

Po kalohet edhe në korniza të tjera të artit vizual, siç duket përveç pikturave do të ketë dhe instalacione?
Është një gastronomi e gustos vizuale ku mund të jetë një prezantim, një vizatim, video art, pikturë, film, por mund të jetë dhe thjesht një bisedë. Kemi një kalendar të përbashkët dhe me Kosovën. Në këtë muaj kemi patur artistin Alban Imami ku erdhën shumë të rinj. Kemi patur edhe artistë të tjerë kosovarë. Kemi prezantuar një projekt me Kosovën. Tani kemi rreth 20-30 skulptura satirë të Uran Hajdarit. Dhe në muajin shtator do të kemi Simon Shirokën. Më tej do të kemi një retrospektivë të Sadik Kacelit. Çdo gjuhë është interesante në art, por nuk duhet të harrojmë bij të kujt jemi. Artistë si Kaceli, Shijaku, Kamberi ne duhet t’i vlerësojmë duke ia prezantuar publikut shqiptar.

Gjithë këto ndryshime si janë pritur nga publiku?
Tek publiku shqiptar kam vënë re që energjia pozitive që GKA në mënyrë jo hermetike hapet, është ndjerë tek të rinjtë, tek shkollat sepse janë ata që edukohen me të ardhmen. Në qoftë se sot punohet në respekt të brezave, nesër ke një rini më pak agresive, sepse rritet bukur me art e kulturë. Nuk duhet një sforco e madhe, sepse kostoja për të vizituar ekspozitat është zero lekë. Kultura rrëmbehet, nuk ta fal askush.

Salla e Realizmit Socialist si është pritur nga publiku?
GKA ka disa salla që prezanton linjën muzeale që është Realizmi Socialist. Ne kemi pasur Realizmin Socialist që na takon ta koservojmë, ta publikojmë dhe ta shesim si imazh në botë ashtu siç bota ka periudhat e veta dhe i ekspozon. Ata që nuk e njohin duhet ta njohim. Edhe publiku shqiptar e vlerëson sepse është një vepër arti dhe janë bërë nga artistët që janë ende gjallë. Janë vepra shumë të mira që prezantojnë një epokë dhe një periudhë që ne e dimë shumë mirë dhe nuk mund të gënjejmë veten apo të tjerët. Këto janë vepra dhe flasin vetë. Do të ishte mirë për linjën e re që të krijojë një sallë skulpture shqiptare. Ky është një vëzhgim që kam bërë. Edhe për vizatimin shqiptar. Do të kemi dhe skulpturë dhe vizatime. Këto kërkojnë buxhet dhe nuk janë në mundësitë e mia. Dëshira ime është që të krijojë dhe salla të tjera.

(Botuar me shkurtime)

Shkrimi u publikua në Shqiptarja.com, (Print) më 26.07.2014
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë