Në Shirokë u zhvillua etapa përmbyllëse e aktivitetit “Projeksion mbi Liqen”, një nismë që ndërthur artin me ndërgjegjësimin mjedisor në kuadër të Ditës së Tokës.

Një instalacion artistik i veçantë, i frymëzuar nga elemente të Skodrinonit, u realizua duke përdorur materiale të ricikluara, kryesisht shishe plastike të mbledhura nga Liqeni i Shkodrës dhe bregdeti i Velipojës.

Vepra u vendos të lundrojë mbi sipërfaqen e liqenit, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve.

“Sot në Ditën e Tokës kemi ardhur në Shirokë për projeksionin për Liqenin. Javën e kaluar ne mbodhëm mbeturinat ndërsa tani kemi krijuar në formë arti si simbolikë kundër plastikave”, tha një nxënsëse.

Ky aktivitet vjen si një bashkëpunim mes Bashkisë Shkodër, Act4Shkodra, Qendra Atelie dhe DRTK Shkodër, duke sjellë një model të mirë bashkëveprimi për çështjet mjedisore dhe kulturore.

Në një ditë simbolike si Dita e Tokës, mesazhi mbetet i qartë: më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj mjedisit dhe pasurive tona natyrore.