Artistët në A1Report:
Buzëqeshja që la pas miku ynë

Artistët në A1Report:<br />Buzëqeshja që la pas miku ynë
TIRANE - Ndarja nga jeta e aktorit të madh të humorit, Skënder Sallaku ka prekur të gjithë, por veçanërisht kolegët e tij, aktorët shqiptarët, të skenës shqiptare të filmit apo teatrit. Duke folur për A1 Report ata kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen Sallaku. Margarita Xhepa, Zef Deda, Mirush Kabashi, Bujar Kapexhiu Marjana Kondi, kanë shprehur nëpërmjet A1 Report ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të aktorit Skënder Sallaku.
 
MESAZHET E NGUSHËLLIMIT TË AKTORËVE PËR FAMILJEN SALLAKU:
 
ORA 09:40 XHEPA: SALLAKU, NJERIU QË NUK DINTE TË NDAHEJ NGA MASA
Aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa, në një lidhje telefonike për A1 Report, sikundër shumë personalitete të artit, kanë përcjellë ngushëllimet për aktorin Skënder Sallaku. Xhepa, plot emocion përcolli karrierën e gjatë të të ndjerit Sallaku, duke cituar se vendit tonë, do ti mungojë një humorist me plot vlera.
 
“Një mëngjes i trishtë pa këngëtaren e mirënjohur Vaçe Zela, morëm dhe një lajm të hidhur për aktorin e shquar me batutat e tij, sepse i buronte nga shpirti i tij. Krijoi shpirtin artistik. Artist me dimension të madh. Krijoi galeri të roleve të tij, me mimikën, e me zërin e tij karakteristik. Ai kishte një plastikë të zhdërvjellët. Do mbetet i paharruar dhe do kalojnë vite dhe nuk harrohet humori i Sallakut.
 
Rolet e tij që ka qëndisur, që jepte një mesazh janë të shkëlqyera. Ishte pjesë e gjithë popullit tonë, njeri i thjeshtë, që nuk dinte të mbaheshe për këtë masë. Krijoi humor me barsaletat e tij. Fjalët që sapo të thash për Sallakun janë të pakta. I pakursyer me rolet e tij të panumërta. I paharruar do të mbetet kujtimi i tij”.
 
09:30 ZEF DEDA: SALLAKU NA LE PAS NJË AKADEMI TE HUMORIT
Aktori i njohur Zef Deda: “Sallaku na ka shkrirë shpirtin. Jam shumë i emociuar”- thotë Zef Deda duke qarë.
“Ai ka vënë një vulë në skenën e humorit duke i dhënë dritë. Kam lumturinë e madhe që kam jetuar në kohën e tij. Ai ishte një akademi e madhe dhe mësim i madh. Lus Zotin që të kenë forcë ashtu si ne po mundohemi ta kalojmë. Ju ngushëlloj të gjithë artistët dhe familjen. E kanë dashur ”- thotë Deda në një prononcim telefonik për A1 Report.
 
ORA 09:25 MIRUSH KABASHI: ËSHTË E TRISHTË, SKËNDER SALLAKU IKONA E HUMORIT
Mirush Kabashi thotë në një lidhje telefonike për A1 Report se, Skënder Sallaku kishte përsosur plastikën, dhe komunikimin përmes gjuhës së humorit. ”Nuk krijonte vetëm humor në bazë të batutës por kishte plastikë shprehëse. Kur Skënderi vinte në qytetin e Durrësit kishim ëndërr ta preknim dhe të dëgjonim një batutë.
Është e trishtueshme që në këtë periudhë kemi ndarjen nga jeta të kollozëve të artit, perlave të artit shqiptar. Por me produktet e tyre artisitike do të jenë në mendjen dhe në zemrat tona.”- tha Mirush Kabashi gjatë një lidhjeje telefonike për A1 Report.
 
ORA 09:15 BUJAR KAPEXHIU: SKËNDER SALLAKU SIMBOLI I TË QESHURËS
“Ai është simbol i të qeshurës, simbol i gëzimit. Edhe në rrugë kur e takoje ai të tregonte barcaletën e fundit. Na jepte buzëqeshjen gëzimin.Batutat e tij ishin të jashtëzakonshme.
Skënderi mbahet mend si një nga personazhet që bënte barcaletat më të rrezikshme që talleshin në atë kohë. Bënte shaka dhe stigmatizonte regjimin diktatorial.”- thotë Bujar Kapexhiu në një intervistë telefonike për A1 Report.
 
ORA 09: 10 MARJANA KONDI: SKËNDER SALLAKU, IKU POR PAS KA LËNË SHUMË DASHURI
Të vdesësh me buzëqeshjem, duke lënë pas shumë dashuri. Aktori i njohur i humorit Skënder Sallaku është ndarë nga jeta, por miqtë e tij aktorë por dhe spektatorët do ta kujtojnë gjithmonë për buzëqeshjen dhe humorin që e përcillte përmes batutat dhe plastikën e fytyrës.
Aktorja e njohur e humorit Marjana Kondi, duke folur për A1 Report, do ta kujtojë mikun e saj me të qeshur dhe me humor, si ditën e parë kur ajo kishte hyrë studente në Teatrin e Estradës dhe shumë vite më pas kur mes tyre ishte lidhur një miqësi e ngushtë.

”Vdekja dhe lindja është hyjnore”, thotë Marjana Kondi duke kujtuar dhe moment kur Skënder Sallaku gjithmonë moment të tilla të trishta donte t’i kalonte me humor.
“Skënderi ka qenë një mik shumë i mirë i mi. Ishte një njeri që i bënte shumë për vet. Ai vërtet ikën por pas ka lënë shumë dashuri. Shpesh herë kur na ndodhte të shkonin në ndonjë ceremoni mortore bënte shumë humor, dhe e mendonte veten se do i vijë rradha e thoshte jo mo s’kam për të vdek”- kujton Marjana Kondi, gjatë intervistës telefonike për A1 Report.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane