Artistët shqiptarë me 27 janar
në Teatrin e Operas së Kuvajtit

Artistët shqiptarë me 27 janar<br />në Teatrin e Operas së Kuvajtit
Artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor do të udhëtojnë drejt Kuvajtit, për të marrë pjesë në një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore në datë 27 janar në Teatrin e Operas të Kuvajtit. Shfaqja e TKOB-së do të përmbyllë edicionin e 23-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kuvajtit.
 
Në këtë festival ndërkombëtar performojnë trupat artistike të vendeve, si Meksika, Belgjika, Greqia, Spanja etj. Por, ky aktivitet, i cili ka për synim bashkimin e kulturave të vendeve të ndryshme për trupat e ndryshme, për trupën tonë shënon dhe një moment të rëndësishëm në vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe bashkëprodhimit të TKOB-së sonë me Teatrin e Operas së Kuvajtit.
 
Orkestra Simfonike e TKOB-së dhe solistët operistikë në vend do të përfshijnë në programin e koncertit pjesë nga kompozitorë të njohur shqiptarë, si Çesk Zadeja, Thoma Gaqi dhe kompozitorët me famë botërore si Lehar, Strauss, Verdi, Rossini etj.

Orkestra e Teatrit të Operas dhe baletit së bashku me solistët do të përmbyllin festivalin me të rëndësishëm operistik të Kuvajtit "Kuwait Lyrical Gala". Këngëtarët lirikë; Eva Golemi, Vikena Kamenica, Armando Likaj do interpretojnë shqip në Kuvajt krahas arieve më të njohura botërore.

Artistët shqiptarë e konsiderojnë të rëndësishëm këtë aktivitet, sepse tashmë për këtë gjë është nënshkruar një kontratë, e cila do të realizohet, por ajo që pretendojnë ata më tepër është që prezantimi i veprave nga kompozitorë shqiptarë, të jetë një mënyrë nëpërmjet së cilës të shpalosen vlerat e kulturës shqiptare.

“Duke qenë se TKOB do të fillojë riksontruksionin ne dëshirojmë të arrimë edhe bashkëpunime. Shpresojmë shumë që këto tre vite të mos jenë të vdekura për ne, sepse tre vite për artistët, që të mos dalin në skenë do të ishin shkatërrim. Arti është ambasadori më i mirë i artit”, është shprehur Vikena Kamenica për mediet, duke shtuar se artistët e operës përherë e kanë ndierë vetën më pak të vlerësuar se artistët e tjerë, për faktin që në të gjithë vendin është vetëm një teatër opere, ndryshe nga teatrot e fjalës, që thuajse në çdo qytet të vendit ka të tillë.

Edhe sopranoja Eva Golemi e cilëson këtë aktivitet, si një bashkëpunim të mbarë, në të cilin marrin pjesë vende të ndryshme nga e gjithë bota. Baritoni Armando Likaj faktin që në këtë festival do të jenë në fund të tij, e cilëson si një vlerësim, prandaj duhet që të prezantohen sa më mirë.

Baritoni Likaj e cilëson këtë pjesëmarrje një moment të rëndësishëm në karrierën e tij. Artistët ndalen edhe te shpërblimet apo një pagë e trembëdhjetë vjetore, që mundet të kenë artistët, por kjo gjë u është hequr qysh prej vitit 2012.

Megjithatë, dashuria që ata kanë për profesionin i bënë që të vazhdojnë dhe të punojnë vetëm me pagë bazë.Por, përveçse dirigjentit shqiptar, Edmon Doko trupa e artistëve të operës dhe orkestra do të shoqërohen edhe nga dirigjenti spanjoll Ricardo Casero. “Të punosh me muzikën është gjëja më e lehtë në botë, sepse muzika është gjuhë universale”, thotë dirigjenti, i cili shton se edhe artistët që punojnë në TKOB mundet që të përballen me artistët në skenat ndërkombëtare, por për këtë nevojitet një punë intensive 1 deri 2-vjeçare.

Megjithatë, artistët shqiptarë do i veshin ngjyra shqiptare operës së Kuvajtit, me repertorin shqiptar. Koncerti Gala mbahet mbrëmjen e 28 janarit. Ky aktivitet shënon edhe turin e parë të artistëve. Ndërsa, në vazhdim ende nuk dihet nëse do të kenë një vendqëndrim afatgjatë, por ajo që dihet është që ata pjesën më të madhe të shfaqjeve gjatë këtyre tre viteve do ta japin në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
 
Programi i “Kuwait Lyrical Gala” nën dirigjim e Edmond Dokos dhe Ricardo Casero, (dirigjentit principal i ftuar) do të jetë; Himni shqiptar dhe Himni i Kuvajtit.

Ndërsa, “Valle simfoni Nr 2” e Thoma Gaqit, “Humoreska”, “Improvizim epik” i Çesk Zades, që do të interpretohet nga flautistja Enalda Gjoni dhe “Margjelo” e Prenk Jakovës, që do të interpretohet nga Vikena Kamenica janë pjesët shqiptare me të cilat artistët do të prezantohen në Operën e Kuvajtit.

Përsa i përket repertorit të huaj, artistët do të interpretojnë; ouverture “La gazza ladra” dhe nga “Berberi i Seviljas” “ Largo al factótum” të Gioachino Rossinit, të cilat i interpreton Armando Likaj.

Nga Giuseppe Verdi janë përzgjedhur ouvertura “Ah forse lui… Sempre libera” nga “Traviata”, që e interpreton Eva Golemi. Nga Camille Saint-Sawns, “ Mon coeur s’ouvre à ta voix” (Samson et Dalilah), që e interpreton Vikena Kamenica. Ndërsa, Golemi edhe Likaj do të ngjisin në skenë duetin “Trace il labbro” nga Franz Lehar. Nga Georges Bizet Carmen është përzgjedhur nga “Carmen” “Habanera” - Vikena Kamenica etj.

kuvajt

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Dilni nga zona juaj e rehatisë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Dilni nga zona juaj e rehatisë... Çfarë thonë yjet për ju sot