Tek dëgjoja një bidesë-analizë, mbi ngjarjet e fundit politike në median e “familjes”, sinqerisht u binda se, ata që bënin “politikën e madhe”, që merreshin me emra ministrash dhe kryeministrash “në largim”, kujtojnë se Berisha është akoma kryeministër vendit. Të them “dritëshkurtër” është pak. Epo, të mblidhen ditë e natë, goxha burra, të arsimuar, të kollarisur dhe parfumosur, dhe të bëjnë analiza me “emërime, shkarkime, arrestime, hetime, gjykime”, dhe në fund të mos konkludojnë asgjë, kjo sikur nuk shkon.
Nuk ka ditë e natë, që televizioni “familjes”, të mos titrojë idiotësi të tilla si “iku Balluku, do ikë dhe Rama” apo dhe “SHBA dhe BE, ja kanë prerë vrullin Edi Ramës”, kur Tirana është kthyer prej kohësh në kryeqendër të takimeve frytëdhënëse të funksionarëve më të lartë të NATO-s, KiE, dhe BE-së. Por pavarsisht kësaj, ekrani i televizionit të “familjes” dhe portalet e mirëpaguara nga Partia Demokratike, nuk rreshtin së llomotituri, duke rrahur “ujë në havan”.
Dalin atje juristë fare të rinj, ish-prokurorë të flakur nga Vettingu, ish-gjyqtarë milionerë, avoketër, dhe “analistë”, dhe i bëjnë radiografinë qeverisjes Rama, kur duhet të merren me problemet e thella dhe kronike, të kësaj opozite. Ata duhet të merren me problemin themelor të asgjesimit të asaj partie nga klani i përjetshëm Berisha, duke e katandisur, atë force politike më keq se në minishoqatë. Por jo, ata merren me Lefter Kokën, Erion Velian, Arben Ahmetajn, Belinda Ballukun, e japin çdo ditë lajmin e “madh”, se “po ikën edhe kryeministrit Rama”.
Dhe hajde prit pastaj, të riformohet dhe riorganizohet PD-ja, me servilët dhe dritëshkurtërit, që kanë mbushur zyrat e saj, dhe studiot e televizionit dhe portaleve të Berishës. Si mund të pretendojë kjo opozitë, fitoren në zgjedhje, kur akoma dhe sot, brenda saj nuk ka patur dhe nuk janë zhvilluar kurrë zgjedhje të lira dhe demokratike për kryetar partie?
Si mund të pretendojë kjo opozitë, se një ditë do të vijë në pushtet, kur nga 316 firmëtarët e parë, të themelimit të Partisë Demokratike 35 vite më parë, ka mbetur atje vetëm Sali Berisha ? Si mund të ketë akoma njerëz atje, që besojnë se “Berisha do të na çojë në fitore”, kur vetëm nga 2013 deri sot, Doktori ka humbur 10 palë zgjedhje përballë PS dhe Edi Ramës?
Pra duke mos u marrë më shumë me punët e drejtësisë, por jo të partisë tyre, duke mos u marrë më shumë me hallet e Belindës, por jo me riorganizimin urgjent të partisë, dhe zgjedhjen e një kryetari të besueshëm për anëtarësinë, e cila mund të ndryshojë diçka, brënda asaj force politike, analistët e asaj partie, kanë humbur sensin e kohës.
Të besosh akoma tek Berisha, apo Mul Noka, se “partia do të rihapet, do të riformatohet, dhe do të fitojë ndonjëherë zgjedhjet”, është njëlloj sikur të besosh se “deti është liqen”. Një gjë mbetet konstante brënda asaj partie, dhe brënda atyre njerëzve që merren gjithë ditën me analiza politike (pasi nuk kanë tjeter se me të merren).
Ata akoma e dinë Sali Berishën kryeminister. Madje nuk e besojnë, edhe kur u thonë se, “ju keni 13 vjet në opozitë”. Imagjinata dhe ëndërra të mbajnë gjallë deri diku, jo përgjithmonë- ka thënë komediani Tom Hosthen./Javanews
Komente












