Edhe pse Shqipëria ka hapur dhe mbyllur shumë grupkapituj të negociatave me Bashkimin europian, mendoj se ajo që akoma “çalon” në pragkufirin e madh, mbetet reformimi i klasës politike. Mos mendoni se, duke mbyllur gjithë grupkapitujt e negociatave, Shqipëria do ta ketë të lehtë, të përshtatet me BE me situatën ku ndodhet sot klasa jonë politike. Inatçorë, ambiciozë, hileqarë, naivë, provincialë, shumica e tyre të pakulturuar dhe paqytetëruar, kjo është pak a shumë rezymeja aktuale, e një pjese të mirë të klasës sonë politike.

Njerëz që në politikë kanë hyrë rastësisht, aksidentalisht, nga “dera apo dritarja” e saj, njerëz që kanë ardhur me valixhe druri në Tiranë, dhe që sot posedojnë vila, pallate, miliona euro pasuri. Njerëz që më tepër se të ardhmen e partisë, shoqerisë dhe vendit, shikojnë interesin e xhepit, familjes, farefisit, dhe pronave të tyre. Njerëz që më tepër se karriera e tyre politike, interesohen për rritjen e pasurisë kur kanë dhe kur nuk kanë pushtet, që më tepër se interesi jetik i fateve të vendit, u intereson më tepër oborri i vilës tyre. Kjo pra është klasa jonë politike, e krijuar  jo në “zjarrin e revolucioneve demokratike”, por në zyrat e ish-pushtetit 45 vjeçar, dhe që sot na serviren sikur të ishin “ata që sollën lirinë, demokracinë, zhvillimin”.

Më tepër se kurrë, sot klasa jonë politike, ka nevojë urgjente për reformim, skarcim, sakrifikim, vetëlargim. Më tepër se kurrë, ajo sot duhet të ndërgjegjsohet dhe të bëjë “katharsis” mes vehtes. Nuk mund të shkohet në Bashkimin Europian, me politikanë rastësorë, me politikanë që të vetmen eksperiancë pune kanë atë të politikanit të korruptuar, të damkosur, të hetuar dhe gjykuar.

Nuk të pranon Bashkimi Europian, me rekorde kriminale, me dosje penale, nuk pranon Bashkimi Europian, politikanë  tekanjozë, defiçentë, anarshistë, me të shkuar të përfolur. E ndërsa e majta e Edi Ramës, mbetet forca politike më e rinovuar, me një armatë të madhe politikanësh të rinj, që premtojnë të ardhme në Partinë Socialiste, e njëjta gjë ka afro 3 dekada që nuk po ndodh tek Partia Demokratike.

Partia e Sali Berishës, ka mbetur partia e moçme e mbushur me servilë dhe hipokritë, që për “busull” drejtimi kanë kryetarin e përjetshëm, dhe për ideologji njohin vetëm abuzimin me pushtetin. Bashkimi Europian nuk mund të pranojë dhe dialogojë me një parti që për drejtues ka një politikan të përfolur, të hetuar dhe nën gjykim. Mburoja e tij e vetme, mbetet partia, beteja e tij e vetme mbetet pushteti. Një parti që nuk vetëpastrohet, është e destinuar të humbasë çdo betejë elektorale./Javanews