Në urimin për vitin e ri në 31 Dhjetor, Sali Berisha ftoi shqiptarët ti bashkohen atij dhe partisë tij “për të bërë të mundur rrotacionin në 11 Maj 2025”. Ejani -tha Berisha- ti japim “grushtin e fundit regjimit dhe narkoshtetit”. E habitshme. Se si një politikan edhe ditën e bekuar të Vitit të Ri, bën thirrje për “rrotacion”.
Le që Berisha e ka fenomen të zakonshëm, pasi edhe kur ra tërmeti, edhe kur ra COVID-i, ai jo vetëm u lumturua, por bënte thirrje për “zgjedhje të reja, largim të qeverisjes Rama”. E kush nuk e do rrotacionin. E kush nuk kërkon rrotacion, kur “mbushet kupa”. Por Berisha harron se, rrotacioni bëhet me votën e shumicës, rrotacioni është i sigurtë kur një qeverisje është “NUL” nga gjithçka, kur nuk ka arritur të bëjë asgjë nga ç’ka premtuar, dhe kur në popull, ajo qeverisje nuk gëzosh mbështetje maksimale.
Asnjë prej këtyre pretendimeve nuk ka pse e gëzon Berishën. Edi Rama, dhe qeverisja e tij, kanë gjithë mbështetjen popullore, kanë arritur objektivat, kanë mbështetje nderkombëtare, dhe mbi gjithçka tjetër, Partia Socialiste ka rritur dhe jo zvogëluar numrin e anëtarësisë. E kunderta ka ndodhur tek PD-ja e Berishës. Në fakt Berisha duhej të ishte më i interesuar të merrej me riorganizimin e partisë, rritjen e forcimin e strukturave, dhe ndalimin e rrjedhjes së mbështetësve. Vetëm në 10 vitet e fundit, nga PD-ja janë larguar mbi 12 mijë anëtarë, dhe vazhdojnë të largohen. Atëhere, për ç’rrotacion e ka fjalën Berisha ? E kush nuk kërkon të vijë në pushtet ? Por pushteti ka ca kritere dhe rregulla strikte, dhe nuk të “qas” në rast se ti kërkon “qiqra në hell”.
Duhet të punosh fort, duhet të luftosh fort, derisa partia të jetë një forcë e denjë politike. Po ashtu duhet të bindësh dhe frymëzosh masën e madhe të popullit, për të arritur tek vota e shumicës. Rrotacioni kërkohet kur ti si kryetar partie që pretendon të vish në pushtet, je i papërlyer me afera korruptive, kur nuk ke procese hetimore dhe gjyqesore, dhe kur ke der֝n e hapur tek ambasadat e vendeve perëndimore, veçanarisht SHBA, Britanisë Madhe, etj.
Rrotacioni gjithashtu kërkohet , kur një parti politike ka lënë “gjurmët” e saj në rritjen ekonomike, forcimin e shtetit ligjor, dhe forcimin e marrëdhënieve reciproke me faktin nderkombëtar. Mendoj se PD-ja e sotme e Berishës, nuk ka arritur asnjë nga këto kërkesa, kritere apo kushte të cilat janë domosdoshmëri logjike, për të arritur fitoren në zgjedhje. Rrotacioni i pëlqen edhe partive të reja, apo dhe atyre të krijuara rrugës në 34 vite tranzicion.
Kushdo nga ato parti kërkon rrotacion dhe pushtet. Por ja që, pushtetin e merr partia që prodhon politikë, dhe votohet lideri që di të luajë “mirë” në tapetin e politikës. Populli edhe kur hesht, të ka votuar. Edhe kur të bojkoton në shesh, sërish të ka votuar. Ndaj, rrotacionin apo racionin, kërkoje brënda PD-së zoti Berisha.