TIRANË, 5 Janar/ATSH- I. Vata/-Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, para largimit nga Shqiperia ka përgatitur një album me fotot më pikante dhe momenteve më të rëndësishme të aktiviteteve të tij në Shqipëri.
"Ndërsa ambasadori Alexander Arvizu bëhet gati që të largohet nga Shqipëria, ne përgatitëm një album me disa nga momentet më mbreselënëse të këtyre 4 viteve. Midis mijëra fotografive, ne zgjodhëm vetëm një pjesë të vogël nga historia vizuale e ambasadorit në Shqipëri. Shiheni albumin dhe na thoni cili është momenti juaj i preferuar", thuhet në një postim të shpërndarë në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Më heret, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, u prit nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në takimin e lamtumirës, ku u vlerësua kontributi i dhënë nga ambasadori Arvizu gjatë viteve që shërbeu në Shqipëri për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Albumi i shpërndarë nga ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Aleksandër Arvizu është i larmishëm dhe bie në sy pjesëmarrja e ambasadorit në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, cermonine e 20 vjetorit të hapjes së ambasadës amerikanë në Shqipëri, apo ambasadori i veshur me veshje kombëtare të vendit tonë. Aleksandër Arvizu ka gjetur një mbyllje interesante, duke përmbledhur momentet e rëndësishme në një album dhe shpërndarë publikut, ku dhe e fton të vlerësojë foton më të bukur. /a.ke/












