VLORË-  Ambasadori amerikan Alexander Arvizu nga Jala e Vlorës ka folur sot për situatën paszgjedhore në Shqipëri. Ai tha se “Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin.

Këtë radhë, PS-ja punoi më fort e mori 90 mijë vota më shumë. I rëndësishëm për SHBA-në është konsolidimi i demokracisë,"- tha ai.

Duke komentuar fushatën, Arvizu vuri në dukje gjithashtu se "gjatë saj pati përpjekje që feja të kthehej në çështje elektorale, përpjekje për të krijuar ndarje veri-jug, por që të dyja këto përpjekje dështuan.

Arvizu ka folur gjatë aktivitetit të Lëvizjes Rinore për Integrim, filluar dje në Jal dhe që do vazhdojë deri të shtunën, aktivitet i përvitshëm për politikën shqiptare, duke filluar nga zgjidhja e problemeve të rinisë.

Përveç drejtuesve LSI-së, forumi rinor i LSI-së ka ftuar edhe ambasadorin e SHBA-së Alexandër Arvizu dhe atë të BE-së, Ettore Sequi. Ambasadori i SHBA-së Arvizu referoi sot mbi temën “Vizioni i SHBA-së për Shqipërinë dhe Ballkanin” duke theksuar ndër të tjera se "vendosja e ligjit është me shumë rëndësi. Kjo gjë përfaqëson vlerat e demokracisë. SHBA ka investuar miliona dollarë për funksionimin e ligjeve dhe tashmë po punojmë me Prokurorinë për çështjet e drejtësisë dhe me Policinë.

Por, nëse njerëzit nuk paguhen, nuk mund të luftohet korrupsioni. Rritja ekonomike dhe lufta kundër korrupsionit duhet të ecin paralel,"- ka përfunduar ai.

Në takim ka referuar edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili mbajti temën “Çfarë përfaqëson BE për Shqipërinë dhe sfidat e menjëhershme për Tiranën”
 
Ai preku në radhë të parë, çështjet e pronësisë: “Unë besoj se një pjesë e juaja kanë probleme pronësie ose janë në djeni të tyre në Shqipëri,”- tha ai. – “Ky është një shqetësim konkret që ndikon edhe në i integrimin e vendit në BE.
 
Po ashtu, ju keni një industri peshkimit mjaft të mirë, por një arsye pse nuk eksportoni ka të bëjë me standartet e konservimit të peshkut dhe progresi drejt BE-së ka të bëjë me rritjen e standarteve të cilësisë për konsumatorin shqiptar,” - ka theksuar Sequi.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)