As talebanët nuk kanë qëlluar mbi televizionin e tyre në Kabul

As talebanët nuk kanë qëlluar mbi televizionin e tyre në Kabul

Akti i rëndë terrorist që ndodhi mesnatën mes datës 26 dhe 27 mars kundër TOP CHANEL është shumë i rëndë dhe atipik. Është një akt barbar jo në kuptimin e mizorisë apo të viktimave që ka shkatuar, por në tipologjinë e tij. Veçanërisht pas sulmeve mbi Kullat Binjake më 11 shtator, ne kemi qenë dëshmitarë të akteve nga më të rëndat, të vrasjeve, atentateve dhe krimeve barbare. Kujtoni atentatin në redaksinë e « Charli Hebdo », në « Bataclan », në Londër dhe thuajse në çdo qytet të madh europian. Të gjitha këto akte terroriste kanë qenë të motivuara dhe ata që i kanë kryer ato kanë qenë të frymëzuar nga urrejtja fetare, nga fundamentalizmi islamik dhe krahu radikal i tij. Nuk është këtu vendi për të bërë anatominë e krimit, sepse nuk është vendi dhe koha.

Ajo që të bën përshtypje në krimin mbi televizionin TOP CHANEL është se cilido që të jetë motivi nuk ka asnjë klasifikim ku mund ta futësh atë, sepse të shkosh të qëllosh me dy karikatore automatiku mbi godinën e një Televizioni dhe mbi vendrojën e tij duhet të jesh ose i çmendur ose barbar në kuptimin primitiv, njeri që jeton në kohën parake. Godina e një Televizioni, cilido qoftë ai, është një vend i shenjtë sepse përfaqëson për një shtet institucionin prej nga buron informacioni, është, në parim, një pushtet mbi gjithë të tjerët sepse është i vetmi që, në parim, ka për qëllim të informojë qytetarët, t’i zbavisë ata dhe t’i edukojë. Me kohë mediat kanë zëvendësuar vendet e kultit në mënyrë figurative dhe, nga kjo pikëpamje, nuk janë si institucionet e tjera që identifikohen menjëherë me pushtetin.

Me një media ti mund të mos jesh në një mendje dhe ka ndodhur disa herë sidomos në shoqëritë autoritare ku protestuesit kanë sulmuar edhe televizionet publike, kanë hyrë brenda tyre dhe kanë ushtruar dhunë, por nuk kanë qëlluar kurrë. Në Shqipëri ne kemi një rast tjetër që është përsëri atipik sa i takon krimit. Në vitin 1997 pushteti i egër i Sali Berishë dogji me napalm redaksinë e gazetës « Koha Jonë » në shenjë hakmarrjeje për politikën e saj editoriale duke masakruar edhe një gazetar që flinte aty. Ky krim që mbeti i pandëshkuar asnjëherë ka shërbyer si ai hiri që mban të nxehtë urrejtjen për mediat dhe që këtë radhë u aktivizua në mënyrë të verbër.

Ata që vendosën të bëjnë terror mbi TOP CHANEL-in duke marrë një makinë të vjedhur dhe duke hapur zjarr me automatik e duke derdhur aty mbi 25 gëshoja, janë arketipi i kriminelit shqiptar që po tmerron botën. Ne rudhim buzët kur na quajnë të egër dhe barbarë, por harrojmë se në këtë tridhjet vjet tranzicion i kemi shfaqur botës anën më të keqe dhe më primitive të shqiptarit. Për vite e vite me radhë mburrja jonë e madhe ka qenë guximi dhe heroizmi. Tekstet tona janë të mbushura me narrativën e heroit dhe të guximtari që vret e pret. Pushka dhe shpata, thika dhe vdekja kanë qenë për një kohë të gjatë modelet që u kemi mësuar fëmijëve tanë në emër të edukimit patriotik.

Jemi mburrur me folklorin tonë që u këndon trimave dhe heronjve pa u kujtuar se jetojmë në një epokë tjetër dhe se kulti i guximtarit apo i heroit sot mund të ndihmojë që të pjellësh monstra dhe kriminelë që nuk kanë asnjë skurpull. Sulmi mbi TOP CHANEL-in tregon se këtu një kriminel çfarëdo nuk ka asnjë frikë dhe nuk njeh asnjë institucion. Këtu, në këtë vend, hierarkia e vlerave nuk njihet më. Vetëm nëse sheh me qetësi dhe me dhimbje këtë masakër që është bërë mbi vetëdijen tonë do ta kuptosh edhe dhunën e egër që na ka shoqëruar në të gjitha sistemet. Ahmet Zogu shtetari i dyzuar qeverisi duke përdorur edhe dhunën. Enver Hoxha e përdori dhunën si mjet për të mbajtur pushtetin, por siç po del tani, edhe si armë për të rrafshuar guximtarët dhe heronjtë.

Pas viteve ’90 krimi shqiptar shpërtheu si në asnjë vend tjetër. Nuk ka vend në tranzicion që të jenë vrarë brenda tre muajsh 3000 persona siç ndodhi te ne në vitin 1997. Të marrosur pas një modeli banal të jetës që është pasurimi me çdo kusht, në krye të këtij populli, në krye të ndërtimit të kapitalizmit shqiptar, u vunë banditët, të fortët dhe guximtarët, heronjtë që të vrsinin e të vrasin për hiçgjë. Ata rrëmbyen pasurinë publike, mbushën anijet me refugjatë, rrëmbyen motrat e gratë dhe i nisën prostituta dhe sot shërbejnë si ushtarë të vdekjes në kartelet e drogës.

Edhe modeli ekonomik që po shpërfaqet tani për fat të keq i nxit të gjithë drejt luksit dhe drejt shkëlqimit grotesk. Mania për të përkrahur çdo biznesmen dallkauk që nuk ngopet me asgjë e ka kthyer Shqipërinë jo një vend ku ndërtohet mirëqënia për të gjithë, por një oaz ku të fortët, parelinjtë, vilat, fshatrat turistikë e gjithçka që u takonë një grushti njerëzve shfaqet si ideal i ekonomisë së tregut.

Ndaj banditët që frymëzohen nga kulti i heroit dhe guximtarit nuk e kanë për gjë që të qëllojnë mbi godinën e një Televizioni, sepse ky institucion nuk i hyn në sy atij kriminelti dhe guximtarit që sfidon cilindo në një vend ku drejtësia sado që po përpiqen të huajt ta ngjallin është një kufomë e pakallur. Ndaj mos u lodhni të gjeni motivin që i shtyu ata banditë që të qëllojnë mbi TOP CHANEL-in. Motivi dihet : krimineli shqiptar nuk njeh asnjë hierarki, nuk njeh tipologji, nuk njeh rend, ai të sfidon sepse krimineli shqiptar është qendra e rrethit ku vërtitet Shqipëria.

Të qëllosh mbi godinën e një televizioni, në mënyrë figurative, do të thotë të qëllosh mbi të gjithë ata që merren me mediat në këtë vend, do të thotë që të gjithë ne jemi të plagosur, do të thotë që një pushtet në këtë vend ka rënë, është vrarë. Simboli ynë këtej e tutje do të jetë Pal Kola, punonjësi i Secyritisë që u vra në vendin ku punonte për të mbrojtur gazetarët.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iliri: 27/03/2023 18:21

    Gjeje ti Ilir kush ka qëlluar se je dhe prof.dok.

    Përgjigju
  • Shkodrani-Belgjike: 27/03/2023 17:49

    A tash po e dini se Sali zeza ka dor ne kët mesele, i her tha eshte shitur topi, tash e gjun mos me ble kush, aj ja kalon edhe talebanve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Eduard Zaloshnja: Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral

Eduard Zaloshnja: Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral