Në vizitën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Benjamin Netanyahu akuzoi kryebashkiakun demokrat të New York-ut, Zohran Mamdani, se “mbështet” Hamasin. “Turp të kesh, zoti Mamdani”, tha kryeministri izraelit në një video të publikuar në X. “Turp të kesh që ke mbështetur përbindëshat terroristë të Hamasit, të cilët masakruan popullin tonë. Turp të kesh që ke nxitur trazira kundër hebrenjve të New York-ut.” Netanyahu deklaroi se po shkonte në OKB për të “thënë të vërtetën për ushtarët tanë heroikë dhe për të thënë të vërtetën për ty.”

Videoja u publikua pasi Mamdani, të hënën, pas një takimi me presidentin Trump në rezidencën zyrtare të kryebashkiakut, Gracie Mansion, e cilësoi kryeministrin izraelit si një “kriminel lufte” gjatë një interviste për CNN.

Mamdani iu përgjigj mesazhit të Netanyahut duke deklaruar në një konferencë për shtyp se ajo që kryeministri izraelit kishte thënë “në atë video nuk është e vërtetë.” Më pas, kryebashkiaku e akuzoi Netanyahun se është “autori i një gjenocidi të tmerrshëm kundër palestinezëve.”

Kryeministri izraelit ka kritikuar edhe presidentin francez, Emmanuel Macron i cili dënoi qëndrimin pasiv ndaj Gazës.

“Disa mashtrohen nga ideja e një paqeje të supozuar në Palestinë, por kjo paqe nuk ka rihapur korridoret humanitare! Kjo pamje na bën të turpërohemi! Shikoni Bregun Perëndimor, ku po ndodhin shkelje. Por në emër të çfarë?”, tha Macron.

Ndërsa duke sjellë si shembull rastin e një francezi, baba të gjashtë fëmijëve, të vrarë nga sulmet e Hamasit, zyra e shtypit të Netanyahut deklaroi:

“Absurditeti grotesk i fjalëve të Emmanuel Macronit është tronditës. Terroristët e Hamasit kryejnë sulme kundër hebrenjve pothuajse çdo ditë. Ata kanë vrarë civilë të panumërt izraelitë në Jude dhe Samari. Injoranca nuk është justifikim për të fshirë gjakun e tyre.”

Ndërkohë Irani i është përgjigjur deklaratës së presidentit Donald Trump që të arrijnë marrëveshjen ose do t’i asgjësojnë.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura iraniane dhe Shtabi Qendror i Khatam al-Anbiya, njësia më e lartë e komandës operacionale të Republikës Islamike, kanë paralajmëruar se vendi do të ndërmarrë “goditje edhe më të forta, shkatërruese dhe të paparashikueshme” kundër agresorëve.

Por bisedimet, ashtu siç Trump kishte deklaruar, kanë vijuar dhe këtë e konfirmon edhe pala iraniane.

“Bisedimet me palën amerikane janë zhvilluar përmes një ndërmjetësi nga Katari dhe kushtet e Iranit janë komunikuar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei. “Këto bisedime u zhvilluan me qëllim komunikimin e kushteve të Iranit”, vijoi ai, “ndër të cilat janë përfundimi i luftës në të gjitha format e saj, ndalimi i veprimeve agresive nga Shtetet e Bashkuara, heqja e bllokadës detare dhe përfundimi i luftës ekonomike, lirimi i aseteve iraniane, etj.”

Në Asamblenë e OKB pritet edhe fjala e presidentit iranian Massoud Pezeshkian i cili ka mbërritur në New York. Kjo është hera e parë që një lider i një vendi në luftë me Shtetet e Bashkuara shkel në territorin amerikan për të folur në një Asamble të OKB-së.