Forumi i lartë socialist pritet të diskutojë për vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me ecurinë e partisë në këtë vit elektoral por edhe për mandatin e ish-deputetes Rudina Seseri. Kryesia e PS ka vendosur dje t’i delegoje Asamblesë përgjegjësinë për te marre një vendim ne rast se mandati zvarritet pafundësisht.
Ora 12: 43 RAMA: PROGRAMI YNE RIMEKEMB EKONOMINE
Në një fjalim gati mbi 40 minuta kryetari i Partisë Socialiste vuri theksin në angazhimin e të gjithë strukturave socialiste për të përcjellë tek qytetarët programin "Rilindja Shqiptare", e cila nëpërmjet një taksimi të drejtë rimëkëmb ekonominë shqiptare përballë shkatërrimit që po i bën qeveria e kryeministrit Berisha .
“Sesa keq njerëzit e dinë të gjithë, njerëzit nuk dinë si mund të bëhet më mirë. Ne duhet të ndërtojmë në program dhe ti shpjegojmë pse jemi ne që mund ta bëjmë këtë”
Fjalimin e tij fillimisht e nisi duke vendosur një paralelizëm mes asaj cka premton PS përmes programit të saj për një rimëkëmbje të ekonomisë shqiptare, dhe papunësisë, taksës së sheshtë, dhe rrënimit ekonomik që ofron qeveria. “ Ne taksim te ndershëm ata mbysin te varfrit. Ne do ulim taksat për 95 % e shqiptarëve dhe sipërmarrësve do u themi qartë që nuk mundet që një biznes i vogël të paguajë më shumë se një i madh”- tha Rama.
Kreu i PS-së akuzoi qeverinë se po shkatërron pasurinë publike dhe përmendi rastin e qytetit të Krujës. “Kruja është bërë vendi i një batërdie, masakre e shkatërrimi që ka në sfondin e vet një aktivitet të organizuar kriminal. Asnjëe qeveri demokratike nuk do të mund të bënte me pasuritë e vendit të vet atë që po bën qeveria jonë me fabrikat e çimentove që shtohen njëra pas tjetrës duke rrjepur kodra e mala, shpartalluar sasira të pallogaritshme të së mirës publike.”
“Varfëria luftohet jo duke luftuar të pasurit, por një barrë përgjegjësish të ndershme dhe proporcionale. Jo kush fiton me një rrogë të paguajë më shumë sesa deputetët dhe doktori kryeministër.”- tha Rama si përgjigje të akuzës së kryeministrit, sipas të cilit PS kërkon të sulmojë të pasurit për të ngritur të varfrit.
Kryetari i PS-se u ndal në përhapjen e programit dhe në përcjelljen e këtij programi në njerëzit e thjeshtë si një domosdoshmëri për ti hapur dritën e mendjes duke premtuar ndryshimin e mënyrës së qeverisjes, dhe jo të një administrate që kthehet në zyrë punësimi dhe ku do vazhdojë të ngelet lufta për punësim.
“Në Polican njerëzit dhanë votën për një vend pune që më pas i hoqën. Nëse ne nuk do të hapin dritën e mendjes do ta bëjnë prapë, se në fund të fundit djalli që njoh është më i përshtatshëm se ai që njoh”
Ai vlerësoi kryetarët e rretheve për shtimin e anëtarësimeve në PS. “Ata që kanë ardhur në PS kanë plotësuar dhe formularin e gjatë. Kemi pasur dhe debat për formularin që është tepër i gjatë. Kush lodhet të mbushë formularin e gjatë nuk ka ardhur i shtyrë nga dikush por ka ardhur sepse dëshiron. Kanë paguar dhe kuotat 2000 lekë në vit. Ata na kanë treguar se kjanë gati për të na mbështetur për një rilindje të Shqipërisë- tha Rama.
Ora 11: 49 KLOSI: VIT I VESHTIRE ELEKTORAL, PERBALLE KEMI NJE QEVERI TE KORRUPTUAR
Sekretari organizativ i PS-së Blendi Klosi tha se janë riregjistruar në PS 63 % e efektivit të partisë. Ai e quajti një shifër rekord të cilët për vitin në vazhdim duhet të punojnë fort. ”Shkojmë në një garë elektorale me probleme shumë të mëdha të listave të zgjedhësve, të lëvizjeve emigratorë.... Sot shteti është i paaftë të na paraqesë një hartë se ku banpojnë shqiptarët, këtë detyrë duhet që PS ta marrë me përgjegjësi.”- Klosi.
Deputeti socialist nënvizoi se PS do të jetë në garë me “me një qeveri të korruptuar dhe një shtet të shndërruar në pushtet. Ne do të gjejmë forcën te njeriu i thjeshtë” Ai nënvizoi si sukses dhe anëtarësimin e 12 . 500 anëtarëve të rinj në PS.
ASAMBLEJA
Asambleja do të marrë në analizë ecurinë e punës për zgjedhjet në 117 njësitë vendore në të gjithë vendin, kryesisht në kryeqytet dhe në zona të tjera të vendit.
Njëherësh do të bëhet dhe një bilanc i detyrës së lënë për shtimin e anëtarësisë me të rinj dhe të reja. Njëherësh do të informohet Asambleja nga ana e kryetarëve të degëve të PS në rrethe dhe në bashkitë dhe komunat në lidhje me përfundimin e procesit të riregjistrimit të anëtarësisë së PS në të gjithë vendin, një proces që do të sjellë dhe krijimin e një database për ta përdorur më pas për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, në këtë mbledhje të radhës të Asamblesë së PS do të diskutohet në lidhje me përgatitjet e Partisë Socialiste për sfidën elektorale të vitit të ardhshëm.
Njëherësh në Asamble do të kërkohet dhe përcaktimi i kritereve që tani të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, përmes një testimi të gjatë dhe rigoroz në të gjitha zonat elektorale në vend, në mënyrë që në listat shumëemërore të PS të jenë figurat me mbështetjen më të madhe në komunitet dhe ata që thithin më shumë vota për PS.
(sg/shqiptarja.com)