Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Qendrën e të Moshuarve në qytetin e Policanit.

Dy persona kanë humbur jetën, pasi dyshohet se janë asfiksuar si pasojë e një zjarri që ka rënë në dhomën e tyre, ndërkohë që bashkia e qytetit të Policanit që ka nën administrim qendrën deklaroi se ka pezulluar nga puna drejtoreshën dhe dy kujdestaret e turnit, deri në zbardhjen e plotë të hetimeve.
 
Ngjarja është regjistruar rreth orës 6:00 të mëngjesit të sotëm, kur një telefonatë e mbërritur në organin blu të policisë së Qarkut të Beratit ka bërë me dije se në një nga dhomat e katit të katërt të godinës së të moshuarve kishin ishin gjetur pa jetë dy persona si pasojë e asfiksimit.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertë të policisë dhe të prokurorisë, të cilët kanë nisur tashmë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të saj.
 
Nga hetimet e para mësohet se Tahir Senka, 84 vjeç, nga fshati Lybesh dhe Mustafa Kaceli, 81 vjeç, nga fshati Veleshnje, janë gjetur të pajetë, si pasojë e asfiksimit. Një cigare e harruar e ndezur në krevatin e një prej viktimave dyshohet se është bërë shkak për rënien e zjarrit, gjë e cila i ka marrë jetën të moshuarve si pasojë e asfiksimit pa mundur të dalin nga dhoma.

Vetëm pasi janë pikasur shenjat e zjarrit në dhomë kanë ndërhyrë kujdestarët e turnit të natës, të cilët nuk kanë lejuar përhapjen e flakëve në dhomat e tjera, por nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të shpëtuar të moshuarit, pasi kishin gjetur vdekjen. Trupat e pajetë kanë mbërritur më pas në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku kanë nisur hetimet mjeko-ligjore. Nga konstatimi i parë dyshohet se viktimat kanë ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë.
 
Paraditen e sotme organi i prokurorisë ka thirrur për të dëshmuar drejtoreshën e qendrës, Aurora Doko, ndërkohë që pranë qendrës roja i godinës nuk ka lejuar që të futet askush.

Të vetmit që hyjnë e dalin në mjediset e qendrës kanë qenë disa prej azilantëve, të cilët janë në gjendje më të mirë fizike dhe shkojnë deri në qytet për të pirë kafe apo blerë diçka që u nevoitet.

Disa prej tyre shprehen se ngjarjen e kanë mësuar vetëm mëngjesin e sotëm dhe se i njohin personat që humbën jetën vetëm si fytyra dhe se sipas tyre ata nuk kanë mundur të shpëtojnë, pasi kishin problem fizike.
 
“Mesa di unë ishin gjysmë të paralizuar, nuk lëviznin”,
thotë një prej tyre. 
 
Qendra e të moshuarve në Polican që prej muajit gusht të vitit të kaluar është nën administrimin e bashkisë së Policanit, nën mbikryrjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Shërbimit Social Shtetëror.

Bashkia e Policanit nëpërmjet nënkryetares Luljeta Xhaja bëri me dije se menjëherë pas marrjes së informacionit është pezulluar nga detyra drejtoresha Aurora Doko dhe dy kujdestaret e turnit Vjollca Bakiu e Dhurata Karamani, deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

“Bashkia Poliçan në radhë të parë shpreh ngushëllimet për familjarët e të  ndjerëve të cilët humbën jetën sot në ambientet e qendrës. Nga ana e Bashkisë Poliçan janë marrë menjëherë të gjitha masat ligjore institucionale duke pezulluar nga puna drejtuesin dhe dy kujdestarët e turnit të cilët ndodheshin gjatë kryerjes së shërbimit deri në zbardhjen e plotë të hetimit. Dhe pse me buxhetin e pakët të bashkisë kemi marrë masa për shtimin e numrit të personelit  të pozicionit kujdestar dhe roje në ambientet e brendshme të qendrës“, shprehet Luljeta Xhaja, nënkryetare e Bashkisë Poliçan.
 
Në kohë të ndryshme bashkia i është drejtuar zyrtarisht ministrisë përkatëse për shtimin e numrit të personelit pranë kësaj qendre, pasi 13 punonjësit që janë aktualisht nuk mund të përballojnë rreth 50 personat rezidentë.
 
Aktualisht në këtë qendër qëndrojnë 50 persona, mes të cilëve të moshuar të braktisur nga Qarku i Beratit, por dhe persona të tjerë ish të burgosur nga qytete të ndryshme të vendit si dhe të ardhur nga Shkodra për shkak të rikonstruksionit të azilit atje.

Qëndrimi në këtë azil dhe i personave të dënuar më parë për vepra penale, persona me paqëndrueshmëri të shëndetit mendor e bënë të vështirë punën e një stafi prej 13 personash mes të cilëve kuzhinier, roje dhe kujdestar.

digjen te azili polican

digjen te azili polican
(Foto sot në azilin e pleqve Poliçan)

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com