Lulzim Basha ka lënë përshtypjen se ka nxjerrë “thonjtë” gjatë një interviste në Report TV. Ka sulmuar televizionin ku fliste, ka kërcënuar banka pa emër, oligarkë pa emër dhe ka premtuar ndëshkim, nëse vjen në pushtet.
Nuk mendoj se ka arsye për t’u shqetësuar pse Basha arsyeton në atë mënyrë, dhe as arsye për t’u gëzuar, se ai do bëjë ndonjë ditë ndonjë betejë kundër atyre që i quan oligarkë, apo atyre mediave që nuk i ka nën kontroll. Por ka një arsye për të besuar që Basha është i sinqertë në atë që thotë dhe për ata që e shqetësojnë.
E vërteta është se ka plot media që nuk janë nën kontrollin e Bashës dhe nuk janë të prirura ta konsiderojnë atë një faktor serioz, por thjesht një figurant. Kjo natyrisht që nuk është e këndshme dhe e bën atë nervoz.
Ka po ashtu plot biznesmenë të mëdhenj dhe të fuqishëm që nuk e quajnë të udhës të paguajnë ndonjë haraç tek kunati i tij. Dhe kjo normal që do ta bëjë nervoz.
Por nuk janë këto arsyet përse ai përdor këtë gjuhë sa qesharake, aq dhe të pabesueshme. Arsyeja themelore nuk është me ata që ka kundërshtarë, por me ata që nuk ka nën kontroll, ose me ata që nuk e përfilllin. Inatin e ka me ata që e përfillin. Lulzim Basha mund të jetë ndoshta unikal në historinë e politikës shqiptare, që ka ngulitur në opinion mendimin se nuk meriton asgjë falas.
Për Sali Berishën kanë punuar mijëra vetë falas, biles dhe me passion, se po bëjnë diçka. Njësoj për Fatos Nanon, apo Edi Ramën. Këta mund t’i kenë zhgënjyer, apo shpërblyer, por kjo është histori tjetër. Ata kanë shkuar në luftë krah tyre jo nga paratë, por nga bindja.
Lulzim Basha është i vetmi politikan që i ka mbetur në dorë një parti e madhe si PD dhe nuk ka mundur dot të bindë qoftë dhe një militant të punojë për të, se beson tek ai.
Ai është i pari që ka futur në PD kulturën e pagesës për çdo gjë. Ai në vend të vullnetarëve që bëjnë aksione politike, ka ndërtuar studio montazhi. Në vend të përballjes me dramat e shoqërisë, ka preferuar të prodhojë seriale të tipit “Babale”. Në vend të përzgjedhjes së personaliteteve me integritet, që dinë t’i gjenden në krah në ditë të vështira, ka zgjedhur njerëz që paguajnë për mandatin e tyre, duke e shuar kufrin mes mandatit të deputetit dhe mandatit të arkëtimit, siç tallet një “meme” me të.
Lulzim Basha sjell në shoqërinë tonë atë racë politikanësh, që nuk besojnë tek politika, nuk besojnë tek idetë, nuk besojnë tek përkushtimi, nuk besojnë as te militantizmi. Tek profesionalizmi jo e jo. Ajo i duket një shaka që tregohet për të mos paguar.
Ai beson vetëm tek paratë, dhe ndjehet i sigurtë kur paguan dhe e paguajnë.
Gjithë aferat e tij sillen rreth pagesave. Hetimi i tij ndërkombëtar për lobimin në SHBA përmes dy rusëve sillet rreth pagesës. Shoku i tij i ngushtë, më shumë se vëlla, të cilit i ka qenë kumbar dhe në dasëm, u akuzua dje në SHBA me gjashtë akuza pikërisht rreth pagesave. Dhe ky njeri që ka shok një mafioz ndërkombetar, të akuzuar dje nga SHBA me gjashtë akuza, sot ka zbuluar se Mond Bega, një biznesmen që paska fqinj Taulant Balla, ka marrë leje ndërtimi në anën tjetër të Lanës, vetëm se Taulanti ka dy ditë që i kujton shokun e dënuar ne SHBA.
Dhe gënjen duke thënë se bëhet fjalë për banesa që do shpronësohen. E bën këtë se nuk flet dot për ata që kanë marrë tenderin e Unazës së Madhe, se i ka kumbarë të vajzës, dhe më shumë akoma.
E bëri një herë këtë lojë në verë kundër këtij Begos, që paska vuajtur 2 vjet dënim më 2001, duke i vënë gjobë se mendonte që po konkurronte klientin e tij, dhe po i vë prapë gjobë sot, sërish duke mashtruar shqiptarët.
Nuk di si do t’ia bëjë sikur ky Bego t’ia japë atë gjobën, se komshi e ka dhe Lulin, si Taulantin. Në cilën kompani të kunatit do t’i derdhë vallë, pasi ai i do dhe lekë te pastra!
Lulzim Basha hyn tek ata politikanë që nuk ndjehen të qetë, nëse nuk paguajnë, ose nëse nuk i paguajnë. Ndaj çdo keqkuptim i të tjerëve ndaj tij, se po i akuzon si të paguar nga dikush kundër tij, apo e anasjellta, duhet të marrë fund.
Ai është një politikan që mendon se ka gjithë shoqërinë në listë pagesat e tij. Ata që e kanë paguar i quan të rregullt, të tjerët i quanë debitorë dhe i sulmon. Ndaj nuk duhen keqkuptuar shpërthimet e tij, as kur bën sikur flet kundër mediave, as kunder “oligarkëve”, as kundër atyre që mendon se duhet ta paguajnë.
Një njeri që çdo gjë në jetë e ka bërë për lekë dhe me lekë, duhet respektuar kur flet për lekë. E ka kusurin e jetës./TemA/