ASHMDF: Të mbrohen dhe të
respektohen të drejtat e fëmijëve

ASHMDF: Të mbrohen dhe të<br />respektohen të drejtat e fëmijëve
TIRANË - Me rastin 1 Qershorit, tradicionalisht e festuar në Shqipëri si Dita e Fëmijëve, Agjencia Shtëtërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, UNICEF si dhe oranizatat Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision duan t’i urojnë të gjithë fëmijëve të Shqipërisë ‘Gëzuar 1 Qershorin, ditën e Fëmijëve’, dhe të kujtojnë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë në mbrojtjen e fëmijërisë, se të drejtat e të gjithë fëmijëve pa dallim duhet të mbrohen dhe të promovohen.
 
Origjina e kësaj dite (e lidhur me shpalljen e Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve në 1950) na kujton se fëmijët kanë të drejtë të mbrohen nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, shfrytëzimit apo neglizhimit. Kjo e drejtë është një nga shtyllat kryesore të  Konventës së të Drejtave të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara, por është gjithashtu e shprehur në Kushtetutën si dhe në legjislacionin shqiptar.
 
Që kjo e drejtë e fëmijëve të realizohet, shumë më tepër duhet bërë në të gjitha nivelet e qeverisjes, por veçanërisht në nivel vendor nëpërmjet bashkëpunimit efektiv të të gjithë aktorëve të përfshirë në punën për mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës.
Njësitë e reja vendore që do të krijohen pas 21 qershorit do të mbajnë një peshë të rëndësishme dhe do të luajnë një rol kyç në këtë drejtim, me ngritjen dhe fuqizimin e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve, si dhe duke siguruar shërbime shoqërore cilësore që fuqizojnë familjet në nevojë dhe mbrojnë fëmijët.
 
Ngritja e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve është një detyrim ligjor i pushtetit vendor i sanksionuar në Ligjin 10347, datë 4.11.2010 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”. Përgjegjësitë e këtyre njësive, por edhe detyrimet e aktorëve lokalë në sektorët socialë, arsimorë, shëndetësorë dhe ligjzbatues janë përcaktuar tashmë qartë nëpërmjet Udhëzimit 4-Ministror nr.10, datë 25.02.2015 “Për mënyrën, format e bashkëpunimit dhe procedurat e ndërhyrjes në ndihmë të fëmijëve në rrezik”, i miratuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
 
Agjencia Shtëtërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, UNICEF, Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision në ditën e 1 Qershorit gjejnë rastin t’u bëjnë thirrje të gjithë kandidatëve për zgjedhjet lokale që të tregojnë publikisht angazhimin e tyre për fëmijët si dhe t’i kushtojnë rëndësi dhe të trajtojnë me prioritet çështjet e mbrojtjes së fëmijëve. Agjencia Shtëtërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, UNICEF, Terre des Hommes, Save the Children dhe World Vision qëndrojnë të gatshme të mbështesin njësitë vendore në përmbushjen e detyrimeve të tyre, por njëkohësisht do të monitorojnë punën e administratave të reja lokale në këtë drejtim.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Cërrik/ Qëlloi me armë zjarri në ajër në fshatin Liçaj, në pranga 36-vjeçari! Iu kap municion luftarak

Cërrik/ Qëlloi me armë zjarri në ajër në fshatin Liçaj, në pranga 36-vjeçari! Iu kap municion luftarak