Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Malaj, në një lidhje live për emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv ka deklaruar se ndryshimet e propozuara në Kodin Penal që po diskutohen në Kuvend, janë hartuar në përputhje të plotë me legjislacionin evropian.
Malaj theksoi se masat e reja, veçanërisht ato që lidhen me parkimin dysh, nuk kanë për qëllim dërgimin e qytetarëve në burg, por për adresimin e problematikës.
‘Çdo gjë që ne kalojmë në votim më para rakordohet, nuk janë nisma që ndërmerren në ajër, por në përafrim me legjislacionin europian. Kemi gjithë dakordësin e Komisionit Europian. Nuk besoj se janë masa të parealizueshme, kur flasim për parkimin dysh nuk është për të çuar njerëzit drejt burgut por për të zgjidhur problematikën. Ka raste kur parkimi dysh ose parkimi që është për ambulanca, për zjarrfikëse mund të kushtojë jetë njerëzish dhe prandaj kemi arritur në këtë përfundim me këtë paketë. Bazën ligjore duhet ta kemi dhe më pas ta realizojmë. Parkimi dysh ndalon ata që parkojnë dysh me orë të tëra dhe bllokojnë trafikun', tha ai.
I pyetur lidhur me numrin e votave të nevojshme për miratimin e ndryshimeve dhe mungesën e konsensusit me opozitën, Malaj pranoi se do të kishte preferuar një dakordësi me opozitën, por nuk u arrit.
Ai shtoi se mazhoranca do të vijojë të çojë përpara nisma që janë në interes të qytetarëve.
‘Dëshira jonë ajo do të ishte, por jo çdo gjë bëhet me zor, nuk është gjetur dakordësia, dhe kjo do të thotë se kemi pasur qëndrime të ndryshme. Ne i kemi votat e nevojshme për të kaluar këtë. Kemi edhe ndonjë aleatë në sallë. Do të kisha dashur që të ishin edhe votat e opozitës, por nuk është gjetur gjuha e përbashkët. Janë pika në interes të qytetarëve dhe aty ku nuk gjendet dakordësia ne si mazhorancë duam që t’i çojmë para këto nisma’, tha ai.
Lajmi kryesor:
Dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët/ Kthupi: Ligji ka probleme! Beqiri: Fyerja është kthyer normë morale! Balliu: Ashpërsim i dënimeve për zjarrvënien











