Udhëheqësit e Brukselit, duket se nuk e njohin presidentin e sapozgjedhur të Serbisë, ish-radikalin Tomislav Nikoliqç, shkruan portali JNK.

Në një video, publikuar në SEE TV, shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, pak çaste para se ta priste në vizitë Nikoliçin, pyet bashkëpunëtorët e saj se si duket ai.

“Robert, dikush duhet të vijë me mua se nuk e di se si duket ai”, i drejtohet Ashton, këshilltarit të saj, Robert Cooper. 

“Nuk e di as unë”, ia kthen Cooper, i cili njëherit është ndërmjetës i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi..

Baronesha Ashton më tej pyet: “Kush e di se si duket ai”?

Një prej bashkëpunëtoreve i ndihmon shefes së BE-së, dhe ata kthehen bashkë me Nikoliçin pas disa çastesh. 

Kryetari i ri i Serbisë ka qëndruar të enjten në Bruksel, në vizitën e parë që prej se mori këtë detyrë. Përveç baroneshës Catherine Ashton, si dhe me ndërmjetësuesit të bisedimeve Prishtinë-Beograd, Robert Cooper, Nikoliq është pritur edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
/rg/shqiptarja.com/