TIRANE – Mbrojtja e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit ligjor është filli i argjendtë që përshkon marrëdhëniet e jashtme të BE-së. Kështu ka deklaruar përfaqësuesja e Lartë e BE, Catherine Ahton në Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Ashton tha se BE-ja është e angazhuar të punojë me qeveritë kudo në botë, përmes organizatave multilaterale dhe ndërkombëtare dhe me frymën e një partneriteti të vërtetë me shoqërinë civile për të mbështetur demokracitë e reja dhe për të garantuar që e drejta e përfshirjes dhe e pjesëmarrjes në jetën publike të bëhet një realitet konkret për të gjithë

“Ne besojmë se të gjithë duhet të jenë të lirë të ushtrojë të drejtën e tyre për pjesëmarrje të barabartë. Gratë dhe të rinjtë kanë qenë në ballë të shumë lëvizjeve demokratike që kemi parë këtë vit dhe kanë qenë një frymëzim për popujt kudo në botë. Njerëzit me paaftësi fizike hasin ende pengesa në të drejtën e tyre për të marrë pjesë në jetën publike, çështje që duhet trajtuar”, u shpreh Catherine Ahton.

Tema e Ditës së të Drejtave të Njeriut këtë vit ishte përfshirja dhe e drejta për të marrë pjesë në jetën publike. Ashton tha se “tema është veçanërisht në kohën e duhur nën dritën e tranzicioneve drejt demokracisë që po përjetojmë në mbarë botën. Një numër vendesh të afërta si Tunizia, Libia dhe Egjipti kanë organizuar me sukses zgjedhje demokratike gjatë vitit të kaluar, duke lejuar shumë qytetarë të votojnë për herë të parë lirisht dhe duke u ofruar atyre një mundësi për të marrë pjesë në vendimet që prekin të ardhmen e tyre.
Kjo prirje drejt demokracisë ishte e dukshme edhe në vende më të largëta. Pas dekadash represioni të brendshëm, në Burma/Mianmar po ndodhin më në fund ndryshime dramatike. Në Somali mirëpritëm miratimin e një Kushtetute të re provizore, ndërsa në Sierra Leone zgjedhjet e fundit u kryen në një mjedis paqësor.”

Ashton vlerësoi çmimin Nobel për paqen. marrë nga BE në tetor, duke e cilësuar si shenjë mirënjohjeje për punën e saj për pajtimin, demokracinë dhe përkrahjen e të drejtave të njeriut, çka ndihmoi në zgjerimin e fushës së paqes dhe stabilitetit në kontinent.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)